Një regjim i shëndetshëm ushqimor, nënkupton ngrënien e shumë perimeve dhe frutave të freskëta të stinës.
Këto produkte, ofrojnë një pjesë të konsiderueshme të vitaminave dhe mineraleve për të cilat njeriu ka shumë nevojë.
Megjithatë në këtë kohë, rreziku i pesticideve, zbeh vlerat shëndetësore të shumë prodhimeve bujqësore.
Shumica prej frutave dhe perimeve bien në kontakt me pesticidet që në fazat e para të mbjelljes.
Rrjedhimisht, çdo perime ose frut që mund të blejmë në treg ka gjurmë domethënëse të pesticideve të dëmshme.
Si Të Shmangni Ekspozimin E Dëmshëm Ndaj Pesticideve
Larja
Të gjitha frutat dhe perimet duhen larë dhe shpëlarë me ujë të bollshëm për të paktën 15 deri në 30 sekonda.
Sigurohuni që uji të rrjedhë në çdo anë dhe sipërfaqe të perimes apo frutit.
Një larje gjithëpërfshirëse siguron heqjen e shumë pesticideve nga lëkura.
Për larjen e frutave dhe perimeve, rekomandohet edhe përdorimi i furçave të buta, të cilat largojnë jo vetëm pesticidet por edhe substanca të tjera.
Uthulla e mollës dhe soda e bukës japin ndihmesë mjaft të mirë në eleminimin e pesticideve.
Në treg gjeni doreza të ashpra, qoftë plastike ose material tjetër, që mundësojnë fërkimin me sodë buke të frutave dhe perimeve, ndërsa i lani ato.
Falë kësaj metode, do të arrini të shmangni dyfish më shumë praninë e pesticideve tek frutat dhe perimet tuaja.
Heqja E Lëkurës
Disa fruta dhe perime nuk mund të hahen pa qëruar lëkurën.
I tillë është rasti i bananes dhe portokallit.
Qepa dhe lakra gjithashtu humbasin një shtresë të lëkurës së tyre gjatë pastrimit.
Nga ana tjetër, për mollët dhe patatet, heqja e lëkurës është më shumë një zgjedhje se një zgjidhje.
Sidoqoftë, heqja e lëkurës ndihmon në largimin e mbetjeve të pesticideve.
Përpara heqjes së lëkurës, lajeni të gjithë frutin ose perimen, që pesticidet të mos transferohen dot në pjesën e brendshme, prej përdorimit të thikës.
Blerja E Produkteve Sa Më Natyrale
Ushqyerja me produkte të stinës zbut ndjeshëm ekspozimin ndaj pesticideve, ndaj sa herë që të jetë e mundur zgjidhni produkte të tilla.
Perimet dhe frutat organike kanë zakonisht një çmim më të lartë, por nëse preferoni shumë fruta dhe perime mund t’i rrisni vetë në kushtet e shtëpisë.
Sipas mundësive, përpiquni të blini produkte shqiptare të rritura nga fermerë të besuar e të përgjegjshëm./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje