Duhanpirja është një fenomen masiv në Shqipëri.
Statistikat e një viti më parë tregojnë se vendi ynë është konsumatori më i madh i duhanit në Evropë.
Në Shqipëri regjistrohen përafërsisht 895 mijë duhanpirës.
Ku 265 mijë prej tyre janë gra.
Përllogaritjet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se një duhanpirës shqiptar pi rreth 19 cigare në ditë.
Ndërkohë të dhënat e Institutit Të Statistikave konfirmojnë se duhanpirësit shqiptarë shpenzojnë 1.4 milionë dollarë në ditë për duhan.
Një paketë e thjeshtë cigareje kushton minimalisht 130 lek ndërkohë që produktet kontrabandë arrijnë deri në 500 lekë për paketë.
Me këto shpenzime, Instituti I Shëndetit Publik paralajmëron se në harkun kohor të 40 viteve, një duhanpirës shqiptar mund të kishte blerë një shtëpi.
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të frenuar duhanpirjen, të dhënat zyrtare tregojnë një nivel në rritje të femrave dhe adoleshentëve që pijnë duhan.
Duhani është një produkt që krijon një varësi të madhe dhe vështirësia në lënien e tij shpjegohet më qartë në këtë artikull të AgroWeb.org
Përse Është Kaq E Vështirë Të Lësh Duhanin?
Pavarësisht paralajmërimeve të shkruara me gërma të mëdha nëpër paketat e cigareve, duhanpirësit neglizhojnë faktin se duhani vret.
Lënia e tij kërkon vullnet të hekurt, por përfitimet që vijnë prej këtij vendimi përmirësojnë cilësinë e jetës së duhanpirësit dhe njerëzve që e rrethojnë.
Varësia Fizike Ndaj Nikotinës
Nikotina përthithet në gjak dhe shkon me shpejtësi në tru ku prodhon dopaminën.
Kjo e fundit e bën njeriun të ndihet mirë dhe i relaksuar.
Por kjo ndjenjë është e përkohshme dhe sapo ajo shuhet, dëshira për tu ndierë mirë të shtyn të ndezësh një cigare tjetër.
Stresi Mendor
Duhani perceptohet si një mjet që të ndihmon të heqësh mendjen nga stresi mendor.
Por kjo shkëputje është e përkohshme sepse në aspekt afatgjatë duhani nuk e lufton stresin por e shkakton atë.
Duhani Si Detyrim Social
Nevoja për vlerësim dhe pranim nga një grup shoqëror është një aspekt i vazhdueshëm i jetës së përditshme.
Kur bëhesh pjesë e një grupi duhanpirësish, herët a vonë mund t’i dorëzohesh tundimit dhe nevojës për tu pranuar në shoqëri nëpërmjet një cigareje.
Çuditërisht perceptohet që njerëzit që pijnë cigare bashkë janë më fort të lidhur me njëri tjetrin.
Megjithatë, duhanpirja mbetet ves dhe vesi nuk është kurrësesi lidhja që mban fort dy njerëz ose më shumë.
Si T’i Rezistoni Dëshirës Për Cigare
Sa herë që të keni nevojë për një cigare merrni frymë thellë 5-10 herë dhe merrni ajër të pastër.
Ecni, vraponi, meditoni që të qetësoni trurin dhe trupin.
Shmangni kafenë e cila rrit rrahjet e zemrës, shkakton ankth dhe stres dhe ju shtyn drejt duhanit./AgroWeb.org