824 0

Sheqernat Industrialë dhe Dëmet e Shtuara Gjatë Stinës së Nxehtë

E dini sa sheqer konsumoni në ditë?

Nëse jeni si shumica e njerëzve, me shumë mundësi po konsumoni më shumë sheqer se sa keni menduar.

Kjo si pasojë e sheqerit të shtuar që ndodhet në shumë ushqime dhe pije. Sheqernat e tepërta shtojnë kaloritë, por asnjë vlerë ushqimore.

Studime të fundit tregojnë se ka një lidhje të fortë mes sheqerit të shtuar, mbipeshës, diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.

Sidomos në periudhën e verës, konsumi i sheqerit shumëfishohet si pasojë e pijeve freskuese të sheqerosura, akulloreve industriale, etj.

Disa fakte rreth sheqerit

Të gjithë sheqernat, si ato natyrale dhe ato të përpunuara, janë karbohidrate të thjeshta që trupi ynë i përdor për të prodhuar energji.

Frutat, perimet dhe ushqimet e bulmetit përmbajnë sheqer.

“Sheqernat e shtuara” janë të gjithë sheqernat dhe shurupi që shtohen në ushqimet që ne konsumojmë kur ato prodhohen.

Ëmbëlsirat, pijet freskuese dhe pijet energjike janë burimet kryesore të sheqerit të shtuar.

Sheqeri shtohet në shumë produkte për arsyen kryesore: rritjen e  jetëgjatësisë së ushqimit. Kur ushqimet përpunohen, sheqeri shtohet që ato të kenë një jetë më të gjatë në raftet e marketeve.

Disa nga problemet që sheqeri i shtuar nëpër ushqime sjell janë:

Shëndet i keq

Nëse ne e mbushim trupin tonë me ushqime të tilla si biskotatat, drithërat e përpunuara, margarina, brioshët, nuk e furnizojmë atë me vitaminat dhe mineralet që i nevojiten.

Rritja e nivelit të yndyrnave në gjak

Trigliceridet janë yndyrat që ndodhen në gjak dhe në shtresat e dhjamit.

Nëse konsumojmë ushqime me sheqer të shtuar, rrisim nivelin e tyre në gjak duke rritur rrezikun ndaj sëmundjeve të zemrës.

Dëmtime të dhëmbëve

Të gjitha format e sheqerit dëmtojnë smaltin e dhëmbëve tanë.

Kur sasia e sheqerit teprohet, shëndeti i dhëmbëve përkeqësohet pavarësisht përkujdesjes.

Si të eliminoni sheqernat e shtuara

Pini ujë në vend të pijeve freskuese. Kjo përfshin dhe pijet me kafe si kapucinot, makiatot dhe produkte të tjera të tilla që i ëmbëlsoni.

Nëse doni lëng frutash, blini frutat dhe përgatiteni në shtëpi. Akoma më mirë po t’i hani frutat, kështu merrni dhe fibrat që ato kanë.

Bëni kujdes kur zgjidhni drithërat e mëngjesit. Qëndroni larg atyre që janë më ngjyra dhe me shije frutash. Sa më e thjeshtë aq më pak sheqer në përmbajtjen e tyre.

Nëse preferoni reçelet, AgroWeb.org ju këshillon që më të shëndetshëm janë ata që i përgatisni vet në shtëpi, pa ngjyrues dhe sheqer të tepërt.

Zëvendësoni ëmbëlsirat dhe akulloret me fruta të freskëta. Stina e verës ka një larmi frutash nga ku mund të zgjedhësh një të re çdo ditë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.