Fondet IPARD – Aplikimet Nga 30 Nëntori 2018 – 30 Janar 2019

650 0

Aplikimet për të përfituar nga Programi i ri IPARD, me një fond prej 94 milionë euro do të pranohen nga 30 nëntori 2018 deri në 30 janar 2019, pranë zyrës qendrore të AZHBR-së.

Kështu deklaroi sot drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, gjatë çeljes së programit të ri IPARD.

Krifca theksoi se “informacioni për mënyrën e aplikimit do të gjendet në udhëzuesin për aplikant në faqen e AZHBR-së“.

Synimi i Programit IPARD

Programi synon të mbështesë fermerët, shoqëritë e bashkimit bujqësor, stabilimentet e përpunimit ushqimor, personat fizikë, juridikë mikrosipërmarrjet dhe sipërmarrjet e vogla private jo bujqësore që kryejnë investime në sektorin bujqësisë.

Investimet përfshijnë prodhimin dhe përpunimin në sektorin e qumështit, mishit, fruta perimeve, vreshtave, investime mund të kryhen në akuakulturë, si dhe në lidhje me shërbimet për popullsinë e zonave rurale, turizmin natyror, si dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Programi IPARD ka qenë transformues për sektorin e bujqësisë të shumë vende në rajon

Sipas drejtoreshës së Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural vende në rajon si Kroacia, Sllovenia, apo Turqia, të cilat kanë ditur të përfitojnë me mençuri nga këto fonde për të ngritur kapacitete, standardet, mekanizimin dhe shumëfishuar produktivitetin duke transformuar mjedisin bujqësor në këto vende.

Sipas ATSH, drejtoresha e AZHBR-së theksoi se “mësimet nga përvoja rajonale tregojnë se është element kyç përgatitja profesionale dhe krijimi i strukturave kompetente që respektojnë procedurat e kërkuara nga BE për të disbursuar fondet e IPARD”.

AZHBR tashmë si një agjenci IPARD ka një hartë treguese me objektiva të qarta për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Sipas ATASH, zonja Frida Krifca u shpreh se agjencia është e vendosur të eci drejt shembujve të suksesit duke punuar me hapa të sigurt, me transparencë, dhe efikasitet për fuqizimin e sektorit me qëllim përthithjen sa më të lartë të fondeve.

Gjatë këtij viti AZHBR-ja ka menaxhuar skemën kombëtarë të buxhetit të shtetit duke u bazuar në skemat dhe funksionimin IPARD me qëllim trajnimin e punonjësve tanë që të jenë gati për këtë ditë.

“Janë angazhuar rreth 120 investime me një fond prej 13 milionë euro nga maji deri tani, investime që po realizohen nëpërmjet mbështetjes së AZHBR-së, me ritme të shpejta pikërisht si ky që po shohim këtu në Rrashbull, Durrës”, tha ajo.

Krifca u shpreh se “BE ka mirëbesuar struktura që grantet IPARD me një buxhet prej 94 milionë euro të injektohen në ekonominë shqiptare përgjatë katër viteve për të krijuar zhvillim rural dhe punësim në mënyrë totalisht të decentralizuar”. /AgroWeb.org