Biskota me Brumë Arrash – Delikatesë dhe Ëmbëlsi në Kushtet e Shtëpisë

5.1k 0

Me një ëmbëlsi unike, krokante e të lehta njëkohësisht, biskotat me brumë arrash janë të mrekullueshme për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës.

Përgatiten mjaft thjeshtë, në vetëm 30 minuta por rezultati final i tyre është një ëmbëlsi unike, delikate. Fantastike për t’i servirur në familje, për më të dashurit por edhe si gosti ndaj miqve e të afërmve.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e biskotave me brumë arrash krejt lehtë në shtëpi, ndërkohë të njëjtën recetë mund ta përgatisni edhe me brumë bajamesh në vend të brumit të arrave.

Përgatitja e biskotave me arra krejt lehtë në shtëpi

Përbërësit  

Për brumin

1 filxhan e gjysmë çaji me arra të bluara imët

3 të verdha vezësh

¾ e një filxhani çaji me sheqer

Pak vanilje

1 lugë e vogël me sodë

Një lugë gjelle me ujë

Për në fund

Një lugë gjelle ujë mineral

1 e verdhë veze

Thelpinj të plotë arrash për dekorim

Përgatitja  

Si fillim ngrohni furrën me temperaturë mesatare.

Në një tas mesatar përzjeni të gjithë përbërësit, arrat e bluara, të verdhat e vezëve, sheqerin, vaniljen, lugën e ujit dhe sodën.

Përzjeini mirë dhe fortë derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Më pas, shtroni në një tavë një letër pjekjeje. Përmes një luge merrni brumë nga masa e përgatitur e amaretave dhe vendoseni në formën e topthave në tavë.

Brumi i biskotave duhet vendosur dy centimetra larg njeri tjetrit.

Nga ana tjetër, në një tas të vogël përmes një piruni, rrihni të verdhën tjetër të vezës dhe lugën e ujit.

Vendosni nga një thelpi të plotë are në secilën prej biskotave dhe më pas përmes një furçe gatimi lyejeni me të verdhën e vezës.

Piqini në temperaturë mesatare përreth 20 minuta.

Pasi të jenë pjekur, biskotat do të jenë të buta, por sapo të ftohen ato të forcohen dhe të bëhen krokante./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.