Dita Botërore e Mjedisit – Shqipëria Ndal Gjuetisë

652 0

5 Qershori, Dita Botërore e Mjedisit, është në të vërtetë një ditë për të gjithë ne; është një shans për të rinj dhe të vjetër, për të treguar në fund të fundit se sa vlerë ka për ne toka. Që në fakt duket se ka shumë pak. Kjo ditë është themeluar në vitin 1972 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e që na kujton takimin e parë të madh ku u fol në lidhje me mjedisin global. Ishte pikërisht Konferenca e Stokholmit mbi Mjedisin. Nga ai takim i rëndësishëm, i cili do të shënjonte më pas të gjithë qasjen tonë globale ndaj mjedisit, lindi UNEP. Programi i Mjedisit i Kombeve të Bashkuara, i cili ka për qëllim të theksojë rëndësinë e natyrës, pa të cilin jeta jonë do të ishte kthyer me kokë poshtë, por edhe të na bëjë të reflektojmë mbi veprimet që të gjithë ne mund të ndërmarrim për të përmirësuar kushtet e mjedisin.

Ekspertët pohojnë se nëse trendet aktuale të popullsisë dhe të konsumit do të vazhdojnë me këto ritme njerëzimi do të ketë nevojë për ekuivalentin e dy tokave për të mbështetur veten deri në vitin 2030. Tema që karakterizon Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit për 2016-tën ka në qendër florën dhe faunën unike me moton “Mbroni florën dhe faunën e rrallë të vendit”.

Për dy vjet zogjve dhe gjitarëve në Shqipëri iu kursye jeta nga kasaphana në sajë të një moratoriumi për të gjithë gjuetinë, të miratuar nga qeveria shqiptare. Pavarësisht ndalimit, sërish gjuetarët e paligjshëm arritën të luajnë macja me miun në zonat e thella, duke vrarë kaproj e derra të egër larg syve të zbatimit të ligjit. Ligji, i cili u aprovua në janar të vitit 2014, pezulloi të gjithë licensat për ushtrimin e gjuetisë për dy vjet.

Vetëm para pak ditësh parlamenti miratoi një shtyrje edhe për pesë vite të tjera, pas diskutimit me palët e interesit, shoqatat e gjuetarëve, ligjvënësit dhe specialistët në Ministrinë e Mjedisit.

“Ne kemi qenë të detyruar të miratojmë masa të rrepta për mbrojtjen e specieve të rrezikuara nga gjuetia e paligjshme”, ka deklaruar ministri i Mjedisit Lefter Koka. Edhe pse moratoriumi është në fuqi, gjuetia e paligjshme është rritur dhe intensifikuar në mënyrë të konsiderueshme. Nga vëzhgimet në terren, Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen e shpendëve dhe gjitarëve (ASPBM) kanë vërejtur se gjuetia e paligjshme është praktikuar kryesisht gjatë fundjavës (sidomos të dielave), gjatë orëve të para të mëngjesit si edhe gjatë natës.

Kjo është koha kur autoritetet e zbatimit të ligjit nuk kanë mbikëqyrje të mjaftueshme mbi territorin, i cili është përdorur më së miri nga kontrabandistët. Gjuetia e paligjshme është evidentuar në të gjithë vendin, madje edhe brenda zonave te mbrojtura, që janë ligatinat, ultësirat apo ekosistemet malore. Madje edhe speciet e rrezikuara në Listën e Kuqe të Faunës në Shqipëri të tilla si: zogjtë grabitqarë, dreri, ujku, derri i egër, etj kanë rënë pre e gjuetisë së paligjshme.

Ministria e Mjedisit thotë se arinjtë e murrmë dhe shqiponjat janë të rrezikuara seriozisht në zonat malore të Shqipërisë. Zonat më problematike janë ligatinat në vijën bregdetare si Laguna e Patokut në rrethin e Lezhës, ligatina Fllaka pranë Durrësit, Laguna e Vilunit në rrethin e Shkodrës, zona ligatinore Vjosë-Nartë në qarkun e Vlorës, etj, ku vetëm gjatë javëve të fundit zona e gjuetarëve është dyfishuar. E njëjta situatë problematike është e pranishme në zonat malore, sidomos në rajonin Pukë-Mirditë, në rajonin e Korçës, Tropojës, etj.

Ndalimi i gjuetisë për dy vite, sipas specialistëve të Ministrisë së Mjedisit ka pasur ndikim pozitiv në faunën e egër duke rritur numrin e zogjve dhe të gjitarëve në vend, ndërkohë që për gjuetarët vetë, ky moratorium nënkupton vdekjen e sportit të gjuetisë.

Situata në Shqipëri ka qenë jashtë kontrollit në vitet e fundit dhe shumë gjuetarë, madje edhe nga vendet fqinje si Italia, vizitonin vendin dhe gjuanin gjithçka për shkak të zbatimit të dobët të ligjit. Vendi ishte shndërruar në një fushë gjuetie gjatë të gjithë vitit, madje dhe shkrimtari i njohur Jonathan Franzen vizitoi vendin në shkurt të vitit 2012 për të dëshmuar këtë personalisht. Në një artikull të tij në National Geographic (Korrik 2013), ai ka përshkruar në detaje përvojën personale në lidhje me situatën e paligjshme të gjuetisë në Shqipëri, duke theksuar domosdoshmërinë për seriozitet në ruajtjen e zogjve dhe urgjencën për veprim.

Aktivitete në promovimin e Ditës Botërore të Mjedist do të mbahet në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë me forume të hapura, ku do të diskutohet mbi problemet më të ngutshme mjedisore me të cilat përballet vendi ynë dhe gjetja e mënyrave për t’i parandaluar ato, duke u ndërgjegjësuar më parë për to./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.