Shijoni Ballkanin në 1.000 metra katrorë

262 0

“Xe meio un bicèr de dalmato / che l’amor mio…” (më mirë një gotë Dalmato se dashurinë time): Kështu nis një këngë tradicionale Istria-veneciane, që tregon për traditën e lashtë të vitikulturës në Dalmacinë jugore.

Verërat e këtij rajoni njihen për famën e tyre, duke qenë se Adriatiku ishte një udhë kalimi për lundrim për fuqitë e mëdha. Pikërisht në këtë labirinth të arkipelagut (gadishulli Peljesac) ka qenë krenaria dhe gëzimi i vreshtarisë dalmate me prodhimin e verërave që perandori Franz Joseph ua shërbente mysafirëve të tij.

Akoma sot, këto metoda “mitike” të vitikulturës përdoren për të kultivuar rrushin tradicional Plavac Mali, që familjet e këtyre zonave e përdorin për të prodhuar shurupin e rrushit, të njohur si varenik, ekzistenca e të cilit daton që në shekullin e 16-të.

Këto ditë nëse ndodheni nën diellin e bukur të Tiranës në sheshin Nënë Tereza, mund të jeni me fat dhe të mund të shijoni një gotë varenik nga Kroacia, ashtu siç bënte dikur perandori Franz Joseph.

Dhe pasi të keni kthyer një gllënjkë të këtij shurupi të rrallë dhe shihni se sërish ju mungon pak ëmbëlsi, ju mjafton të rrotulloheni paksa për ta gjetur veten mes glikove të Përmetit.

Tradita shqiptare vjen me gliko qershie, fiku, kumbulle, kajsie, madje edhe të ndonjë perimeje si gliko patëllxhani, por edhe mbreti i glikosë, ai i arrës. Foto: I Kosta/Agroweb

Jemi sërish në sheshin Nënë Tereza, aty ku gjatë këtyre ditëve po mbahet “Terra Madre Balkans”, për të promovuar produktet tradicionale organike të Ballkanit, ku rradha e njerëzve për të provuar glikonë të kujton atë të aeroportit. Gliko qershie, fiku, kumbulle, kajsie, madje edhe të ndonjë perimeje si gliko patëllxhani, por edhe mbreti i glikosë, ai i arrës të bën të përhumbesh në shije dhe traditë.

E nëse nuk jeni velur ende nga kënaqësitë e këtyre delikatesave, mund të provoni djathin me tartuf të një cilësie të lartë që prodhohet në Durrës. E nëse as kjo nuk ju bind, djathi mishavin i Kelmendit padyshim që do t’iu shtijë në gasje, për cilësinë dhe vlerat e tij të njohura dhe të vlerësuara maksimalisht në të gjithë Evropën.

Por nuk mbeten pas as bimët medicinale, me unicitetin dhe vlerat e tyre rralla. Foto: I Kosta/Agroweb

E ndërsa ecni nga njëra stendë në tjetrën, nga Kroacia tek Mali i Zi, Bosnia & Herzegovina, nga Maqedonia tek Bullgaria, tek Kosova e Shqipëria, do të ndjeni një dehje të lehtë prej aromave të disa prej bimëve medicinale dhe aromatike, nga më të mirat që mund të gjenden në rajon.

Një përzierje shijesh dhe aromash tradicionale. Këtë do të gjeni në Terra Madre Balkans këto ditë në sheshin Nënë Tereza (deri më 5 Qershor), ku 350 delegatë nga 13 vende dhe afro 150 fermerë shqiptarë po prezantojnë produktet dhe recetat më të mira me shije ballkanike./AgroWeb.org/