Kekë Të Vegjël Me Kungull Gati Në 15 Minuta

790 0

Kungujt janë nga ata përbërës të cilët mund t’i përfshini në mënyrë të përkryer si në recetat e kripura ashtu edhe tek ato të ëmbla.

Duke qene se jemi në sezonin e tyre, sot AgroWeb.or ju njeh me një recetë shumë të thjeshtë dhe tepër të shijshme, të kekve të vegjël me kungull.

Ndiqni më poshtë mënyrën e përgatitjes dhe pse jo provoni ta përgatisni edhe ju në shtëpi.

Përbërësit

225 gr miell

2 lugë pluhur pjekjeje

1 lugë gjelle kanellë të bluar

100 gr sheqer pluhur

50 g sheqer kafe

200 gr pure kungulli (e gatshme ose e bërë në shtëpi)

2 vezë

125 g gjalpë pak të kripur, të shkrirë

Përgatitja

Fillimisht ngrohni furrën në 200C-180 gradë C, më pas vazhdoni me përgatitjen e të gjithë përbërësve sipas masave të dhëna më sipër.

Vendosni në një tavë 12 forma të vogla prej letre, të cilat shërbejnë për të mbajtur kekun.

Bashkoni miellin, pluhurin për pjekje, kanellën dhe të dy sheqernat së bashku në një tas të madh, duke i përzier mirë me njëri-tjetrin.

Rrihni purenë e kungullit dhe vezët së bashku në një enë, më pas përzierjen kalojeni tek përbërësit e thatë me gjalpin e shkrirë.

Rrihni për 1-2 minuta me një rrahëse elektrike dore derisa të kombinohen.

Masën shpërndajeni tek format e letrës ose tek një tavë e poasaçme për kekë dhe vendoseni tavën në furrë për 15 minuta, derisa kekët të marrin ngjyrë të artë dhe të skuqen.

Përpara se t’i konsumoni lërini të ftohen plotësisht. /AgroWeb.org