Makarona me Presh Perfektet për një Darkë të Shijshme

2.5k 0

Preshi është një perime që nënvlerësohet shumë, ndonëse vlerat e tij terapeutike janë njohur gjërësisht nga Grekët, Romakët dhe Egjiptianët e lashtë.

Vlerat e preshit janë të larmishme.

Ai ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të fytit, kundër gurëve në veshka dhe pastrimin e organizmit nga toksinat.

Ngrënia e preshit ka treguar se ul kolesterolin e keq dhe në të njëjtën kohë rrit kolesterolin e mirë.

Preshi është një burim shumë i mirë me manganez dhe vitaminë B6, vitaminë C, folat dhe hekur.

Të gjithë këto ushqyes veprojnë në trupin e njeriut duke stabilizuar sheqerin në gjak.

Preshi është një burim shumë i mirë me vitaminë B dhe folat.

Folati është shumë i rëndësishëm për gratë shtatëzëna duke ulur rriskun për defektet e shtyllës kurrizore.

Mënyrat e gatimit të preshit janë të ndryshme.

Shqiptarët, preshin e përdorin të gatuar në supë, gjellë me mish apo në lakrorin karakteristik që njihet në botë për vulën e tij “Made in Albania”.

Në AgroWeb.org do të mësoni për mënyrën e përdorimit të preshit në një pjatë me makarona të shijshme.

Receta e Makaronave Me Presh

Për përgatitjen e kësaj recete ju nevojiten:

  • Gjysëm qepe e grirë hollë
  • 2 preshë të prerë në copa të vogla
  • 1 thelb hudhër e grirë hollë
  • 160 gramë makarona linguine
  • 4 lugë gjelle krem djathi
  • 60 gramë djathë kaçkavall
  • Kripë, piper dhe vaj ulliri

Përgatitja

Vendosni ujin në zjarr, kriposeni dhe kur të marrë valë hidhni makaronat të ziejnë.

Ndërkohë, në një tigan të thellë kaurdisni qepën, preshin dhe hudhrën deri sa të zbuten e të bëhen transparente.

Hidhni pak lëng mishi ose perimesh dhe më pas kremin e djathit.

Hiqini makaronat nga zjarri pak minuta më herët, kullojini dhe vendosini sërish në zjarr.

Më pas shtoni salcën e preshit, përziejini mirë dhe lërini në zjarr të ngadaltë për 10 minuta.

Hiqeni tenxheren nga zjarri, shtoni djathrat dhe përziejini makaronat me lugë druri për të siguruar që të gjitha janë të lyera me salcë.

Servirini menjëherë të ngrohta./AgroWeb.org