Pritshmëritë e Pastërtisë së Plazheve Shqiptare në 2016

403 0

Nëse po bëheni gati të shkoni në plazh këtë vit, kujdesuni të merrni me vete vetëm bagazhet e detit, sepse shqetësimet për pastërtinë do të jenë më minimale për këtë vit. Garancinë për më pak shqetësim e japin institucionet shqiptare, e për më tepër, edhe Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka. Në një intervistë dhënë për AgroWeb, kreu i insitucionit të mjedisit garanton se është përmirësuar ndjeshëm situata që lidhet me higjenën në plazhet shqiptare.

“Sot, çdokush që bën një ndërtim në bregdet, pra një investim të konsiderueshëm, nuk mund të pranojë më të ketë ujë të ndotur, pasi kështu nuk mund të jetë funksional. Kemi patur edhe bashkëpunimin e qytetarëve natyrisht dhe sot, mund të themi se siguria, përsa i përket kualitetit të ujit, është shumë e madhe”- vijon ministri i Mjedisit.

Në bazë të statistikave zyrtare, mbi 90% e plazheve në Shqipëri janë të kategorisë A, pra të një cilësie shumë të mirë. Nga 99 pika monitorimi, 90 prej tyre, japin garanci për cilësinë, çka përkthehet në një përmirësim të situatës deri në masën 50 përqind, krahasuar me vitin 2014. Natyrisht për ministrin Koka, i gjithë ky proces ka ecur në bazë të investimit direkt, por edhe sensibilizimit të aktiviteteve apo edhe vetë njerëzve.

“Këto vite, me ndihmën e qeverisë qendrore, por edhe asaj vendore, janë bërë një sërë investimesh në impjantet e pastrimit të zonave bregdetare. Janë bërë matje në disa zona, sidmos në zonat delta që kanë patur problematikë, përgjatë gjithë vijës bregdetare, e gjendja është përmirësuar me rreth 25 përqind, krahasuar me një vit më parë”- shprehet ministri.

Plazhi i Ksamilit, Shqipëri. Foto: WebLibrary

Zoti Koka nuk e fsheh ambicjen për pritshmërinë e turistëve këtë sezon, duke e lidhur optimizmin e tij, edhe me investimet në infrastrukturë që janë realizuar. “Pushteti vendor i ka kushtuar rëndësi shumë të vecantë këtij problemi, pasi e konsiderojnë turizmin e qyteteve të tyre, një aset shumë të rëndësishëm. Ndoshta ky vit do të ketë numrin rekord të turistëve. Kjo edhe për faktin se Turqia nuk shihet si destinacion turistik, e unë besoj, se Shqipëria dhe Greqia do të jenë dy nga shtetet që do të kenë numrin më të madh të turistëve”- thekson zoti Koka.

Në bazë të monitorimeve të kryera nga Agjensia Kombëtare e Mjedisit, cilësia e ujërave larëse, është shumë e mirë në plazhin e Divjakës, Velipojës, Tales, Shëngjinit, Gjirit të Lalzit, Golemit, Qerretit, Spillesë, Zvërnecit, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit, dhe Semanit. Matjet paraprake që janë zhvilluar, dëshmojnë se cilësia e ujërave larëse, është e papërshtatshme në 3 pika të plazhit të Vlorës (Stacioni i Shkollës së Marinës), në Plazhin e Sarandës (Stacioni Kanali i Çukës-Dodona) dhe në Plazhin e Durrësit (Stacioni i Kompleksit Xhardino).

Por “lajmin” në këtë renditje të zonave dikur problematike, e bën plazhi i Durrësit, ku impjantet e montuara kanë sjellë një përmirësim shumë të ndjeshëm të cilësisë së ujit. “Ka disa qytete që kanë ende domosdoshmëri për t’u pajisur me impjantet e trajtimit të ujrave të zeza. Për gropat septike mbetet ende për të bërë. Në vende të zhvilluara si Suedia, në zonën e veriut, ekzistojnë gropat septike për trajtimin e ujërave të zeza, por aty ka edhe shumë bimësi, e cila përthith lëndën organike”- shpjegon ministri Lefter Koka./AgroWeb.org  

*Gert Selenica është kryeredaktor programi në VizionPlus TV dhe punon si gazetar që prej vitit 1995. Përgjatë karrierës profesionale, ka prekur më së shumti çështjet politike, sociale, ekonomike dhe problematikat mjedisore. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.