Misrat – Në çdo cep të qytetit dhe në çdo breg të detit

615 0

Misri është një nga përbërësit më të hershëm në traditën shqiptare. Të gjithë lënë kokën pas misrave të pjekur, sidomos gjatë muajve të verës kur edhe misrat janë krejt të freskët. Ndaj i gjen lehtë në çdo cep qyteti dhe në çdo breg deti, sigurisht do të të duhet të presësh një rradhë për këtë shije vere, pasi mbetet një nga ushqimet më të kërkuara.

Misri fatmirësisht vazhdon dhe mbillet shumë në Shqipëri. Sipërfaqe të tëra tokash nga Lushnja në Pogradec, nga Përmeti në Elbasan japin prodhim të mirë dhe çmimi i një kilogram misër shkon nga 30 deri 40 Lekë, ndërkohë nëse e do të pjekur një kalli të kushton sa një kilogram.

Vetë misri si drithë është i pasur me përbërës të dobishëm për organizmin e njeriut. Mielli i misrit është një burim fibrash që jo vetëm rregullon lëvizjet e zorrëve por edhe përthith kolesterolin dhe ul nivelin e sheqerit në gjak. Sipas të dhënave, 28 gramë bukë misri përmban 1.8 gramë fibër. Duke qenë se fibra nuk tretet, por thjesht kalon përtej sistemit tretës është praktikisht pa kalori.

Misri është një thesar sa i përket vlerave të çmuara. Ai përmban kalcium, hekur, magnez, fosfor, kalium, acid folik, vitamina, A, B-6 dhe B12.  Studimet shkencore të fundit tregojnë që misri përmban të dhjetë amino acidet e nevojshme që kur futen në organizëm rregullojnë funksionet e organeve, proceset e qelizave dhe rritjen e qelizave të trupit. Ekspertët tregojnë që antioksidantët tek misri mbrojnë qelizat nga dëmet e shkaktuara nga oksidimi.

Në përgjithësi, ushqimet e verdha dhe ngjyrë portokalli janë të pasur me beta karoten, një substancë e nevojshme që kthehet në vitaminë A dhe redukton rreziqet e kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe plakjen. Niveli i karotenit natyral në miellin e bluar të misrit është jashtëzakonisht i lartë madje ia kalon edhe perimeve kampion si spinaqi apo karrotat.

Misri është drithë apo perime? Drith është ai produkt që mbillet në tokë nëpërmjet farave të thata. Misri i fushave që mbillet me fara të thata konsiderohet drithë. Misri i ëmbël që vilet përpara se të piqet njihet si perime. Misri i ëmbël është më i ëmbël se të tjerët dhe zakonisht konsumohet nga njerëzit dhe përdoret në gatime. Misri për silazh përdoret për të ushqyer kafshët dhe prodhuar produkte industriale. Misri dekorativ është lloji i tretë për nga përdorimi masiv. Ky misër vjen në disa ngjyra dhe zakonisht përdoret për të prodhuar kokoshka.

Drithi i misrit është konsumuar që 8000 vjet më parë, si fillim në Amerikën e Veriut, të Jugut dhe atë Qëndrore dhe më pas në të gjithë botën. Që prej asaj kohe misri ka ndihmuar popullësinë e vendeve të botës, në zhvillim ose të varfra për tu ushqyer për vite me rradhë. Sot 21% e popullësisë globale ushqehet me misër. Misri rritet gjatë ditëve të ngrohta të verës i mbrojtur nga kallinjtë. Në kohët moderne, misri organik gjendet në ngjyra të shumta si i kuq, rozë, i zi, vjollcë dhe blu.

Misri ka 10 herë më shumë vitamin A se çdo drithë tjetër. Ai është gjithashtu i pasur me vitaminë C, magnez, vitaminë B dhe kalium. Në përbërjen e tij gjenden dy antioksidantë të vlefshëm për shëndetin e syrit dhe të lëkurës. Misri i plotë konsiderohet si një dozë e mirë energjie për shkak të fibrave dhe karbohidrateve komplekse.

Misri është pa gluten, dhe mund të përdoret shumë mire nga njerëzit që duan një dietë pa gluten./AgroWeb.org