Qofte me Krem Kosi dhe Hudhra – Mrekulli për Shijen

2.9k 0

Tradita e kuzhinës shqiptare ofron një larmishmëri recetash e gatimesh speciale, nga ato që tërheqin oreksin me shijen e tyre fantastike.

Një prej këtyre recetave, qoftet me krem kosi është ndër gatimet me shijen më të përkryer që lezetosin tryezën kur i përgatit e shërben.

Përgatitja e qofteve dhe recetat e pafundme në kombinimin e tyre me perime nga më të ndryshme a me mish të grirë, të përgatitura thjeshtë e të shoqëruara me salcë domatesh, arrash e të tjera përbërës janë një mënyrë ideale për të kënaqur gjithë familjen.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë një recetë tradicionale të përgatitjes së qofteve të shtëpisë me krem kosi, një kombinim perfekt shijesh e aromash.

Përgatitja e Qofteve me Krem Kosi

Përbërësit

Për qoftet

  • 400 gr mish i grirë
  • 1 kokërr qepë
  • 4-5 thelpinj hudhra
  • Nenexhik
  • Një lugë gjelle majdanoz
  • Kripë
  • Piper
  • Vaj ulliri
  • Një vezë
  • Për kremin
  • 2 kokrra vezë
  • 2 gota me kos
  • 1 gotë me lëng mishi ose ujë
  • 1 lugë gjelle me miell
  • 1 lugë gjelle me gjalpë
  • kripë

Përgatitja

Përgatitet masa e qofteve si zakonisht por në vend të bukës i hidhet pak miell, pastaj hidhen mishi i grirë, veza, qepa, hudhrat, majdanozi, kripa dhe piperi.

Pasi përpunohet brumi, priten disa copëza të vogla për çdo racion.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon që secilës prej copëzave të qofteve t’u jepet një formë sferike e cila nuk duhet të jetë më shumë se një kokërr arrë.

Më pas të gjitha qoftet i kalojmë në miell dhe i skuqim në vaj të nxehtë.

Pasi janë skuqur të gjitha qoftet, në tigan hedhim miellim dhe e kaurdisim derisa të zverdhet.

Më pas shuhet me lëng mishi ose me ujë në mungesë të tij. E largojmë nga zjarri dhe shtojmë në të vezët e rrahura me kosin, u shtohet kripë dhe u hidhet qofteve sipër. Kalohet pak në zjarr derisa kremi të mpikset.

Spërkatet me gjalpë dhe pak hudhër të shtypur dhe shërbehet e ngrohtë e ndarë, në pjatanca dhe me pak majdanoz të grirë hollë sipër./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.