Receta e Shijshme e Palaçinkave Amerikane Pa Vezë

2.5k 0

Edhe pse zakonisht petullat, palaçinkat apo krepat i përgatisim në fundjavë kur kemi edhe më shumë kohë.

Karantina na ka krijuar pak më shumë kohë që të kënaqim veten dhe familjarët me receta plot shije.

Këtë mëngjes AgroWeb.org ju këshillon që të provoni të përgatisni palaçinkat amerikane.

Edhe pse përbërësit janë të njëjtë me ato të krepave, këto palaçinka janë më të plota dhe më të trasha.

Të buta dhe plot shije ato mund t’i kombinoni me çdo gjë duke nisur nga reçeli e deri tek mjalti e djathi.

Përbërësit

400ml qumësht

300g miell

60g sheqer

10g fryrës ëmbëlsirash

30g gjalpë

Përgatitja

Përgatitja e tyre pa vezë është akoma dhe më e thjeshtë, pasi ka më pak përbërës por edhe nuk keni për të shpenzuar shumë kohë duke rrahur vezët.

Mjafton që në një tas të hidhni miellin, fryrësin e ëmbëlsirave dhe sheqerin duke i përzierë bashkë.

Më pas shtoni pak nga pak qumështin, i cili duhet të jetë në temperaturë ambienti.

Nëse e përdorni direkt nga frigoriferi palaçinkat nuk do të fryhen dhe brumi do të mbetet i pa kulluar.

Masën duhet ta përzieni mirë që të shmangni krijimin e kokrrizave të patretura të miellit.

Ato do t’i prishin shijen palaçinkave tuaja, pasi mielli do të digjet kur t’i gatuani duke u hidhëruar.

Pasi të keni mbaruar me përzierjen e brumit i fundit e ka radhën gjalpi i shkrirë.

Shtojeni tek tasi dhe përziejeni edhe për disa minuta të tjera.

Në zjarr ndërkohë keni vendosur tiganin e krepave dhe me një garuzhde merrni pak nga brumi dhe hidheni në mes të tij.

Bëni durim që tigani të jetë ngrohur, kështu kur të hidhni brumin ai nuk do të përhapet por do të mpikset direkt.

Sapo të shihni që në sipërfaqen e tyre krijohen bulëza mund t’i ktheni nga ana tjetër.

Përsërisni këto hapa derisa të mbaroni plotësisht me brumin.

Më pas mjafton t’i shërbeni të ngrohta me çfarë të dëshironi, të ëmbël apo të kripur./AgroWeb.org