Si të Thani Patëllxhanët në Shtëpi për t’i Shijuar Gjatë Gjithë Vitit

912 0

Patëllxhani është një nga gatimet më të dashura dhe më të dashura për Shqipëtarët. Në vendin tonë, patëllxhani kultivohet prej shekujsh dhe është pjesë e pandarë e gatimeve vendase.

Përdorimi i tij mbetet pjesë e traditës orientale të gatimit me shembullin më të mirë atë të tavës ‘imam bajalldi’, por edhe format e reja të gatimit si pjesë e turlive me zarzavate të ziera janë tradicionale për shqiptarët.

Pa harruar që glikoja me patëllxhanë të vegjël mbushur me bajame është një specialitetet më vete.

Një nga mënyrat ideale dhe të shëndetshme për të ruajtur patëllxhanët e freskët është tharja e tyre, një metodë të cilën do ta mësoni duke lexuar më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org

Si Të Thani Patëllxhanët Në Shtëpi

Qëroni lëkurën e patëllxhanëve në shirita.

Secilin patëllxhan ndajeni në dy copë dhe përpiquni të hiqni pjesën e tulit duke krijuar hapësirë për mbushje.

Më pas, mbushni një enë të madhe me ujë dhe shtoni kripë.

Vendosini patëllxhanët dhe tulin e plotë.

Mbajini të mbuluar nga uji me kripë për disa orë.

Më pas nxirrini nga uji dhe thajini me letër kuzhine.

Renditini patëllxhanët në një fije spangoje dhe varini në ballkon që të thahen për disa ditë.

Çdo mbrëmje, hiqini vargjet e patëllxhanëve nga ballkoni dhe mbajini në kuzhinë.

Me të zbardhur dita, vendosini sërish ato në ballkon.

Kjo bëhet për të shmangur vesën e cila u bën dëm patëllxhanëve dhe pengon tharjen e tyre.

Kur patëllxhanët të jenë tharë, futini në kavanozë të mëdhenj dhe i keni gati për gatimet dimërore.

Përpara gatimit, patëllxhanët duhen shpëlarë me ujë.

Më pas, duhet t’i vendosni në një tenxhere me ujë të ftohtë dhe të marrin një valë për 5 deri në 15 minuta deri sa të zbuten.

Pasi të jenë zbutur, ju mund të nisni përgatitjen normale të gjellës tuaj të përzgjedhur.

Një mënyrë shumë e shijshme për gatimin e patëllxhanëve të tharë është që t’i mbushni ato me oriz , mish të grirë, domate e hudhër.

Vlerat e Patëllxhanëve Për Shëndetin 

Patëllxhanët kanë nivele të ulëta të yndyrës, kolesterolit dhe kripës.

Ato janë një zëvëndësues ideal i mishit në dietat vegjetariane.

Patëllxhanët kanë aftësinë të forcojnë kockat, parandalojnë osteoporozën dhe zbusin simptomat e anemisë.

Ato  fuqizojnë funksionet e trurit, përmirësojnë shëndetin kardiovaskular, sistemin tretës dhe ndihmojnë me rënien në peshë.

Vlerat fantastike të patëllxhanit vijnë kryesisht nga vitaminat dhe mineralet.

Patëllxhani është i mbushur me vitamina C, K, B6, magnez, fosfor, bakër, fibër, acid folik, potas dhe mangan. /AgroWeb.org