​Izolimi Gjatë COVID-19 Jep Pasoja Tek Shëndeti i Të Moshuarve Pas Dy Javësh

1k 0

Në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende po vendosin masa të forta kufizuese për të luftuar valën e dytë të epidemisë së koronavirusit, njerëzit përballen me rreziqe serioze të zvogëlimit të aktivitetit fizik, kështu që krijimi i një plani të aktivitetit fizik mund të ruajë shëndetin.

 Shkencëtarët nga Universiteti McMaster në Kanada kanë treguar se me më pak se 1,500 hapa në ditë – që korrespondon me aktivitetet njerëzore kur deklarohej një mbyllje pandemike, ndjeshmëria ndaj insulinës zvogëlohet deri në një të tretën në vetëm dy javë te të moshuarit.

E njëjta periudhë e pasivitetit rezultoi në humbjen e deri në katër për qind të masës muskulore të këmbës te njerëzit mbi 65-vjeç.

Sapo një person i moshuar të humbasë masën muskulore është e vështirë të kompensohet, edhe kur kthehet në aktivitetet normale të përditshme. Njerëzit e moshuar nuk kanë aftësinë të rikuperohen si të rinjtë.

Ndërsa shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm për përfitimet e aktivitetit fizik – forcimin e tonit dhe forcës së muskujve, cilësi më të mirë të jetës dhe rrezik më të ulët të vdekjes, ata janë më pak të vetëdijshëm se sa i dëmshëm mund të jetë aktiviteti i zvogëluar.

Humbja e muskujve dhe fuqisë me moshën është e njohur për shumë, por dihet më pak se pasiviteti e intensifikon atë në masë të madhe.

Pasiviteti fizik mund të jetë një çështje e forcës madhore siç është fraktura e një krahu ose këmba ose një sëmundje serioze, por aktiviteti i reduktuar fizik si rezultat i zgjedhjeve të ndërgjegjshme për jetën afatgjatë bart pasoja negative shëndetësore.

Rezistenca ndaj insulinës, ulja e masës muskulore, rritja e indit dhjamor dhe cilësia e dobët e gjumit janë disa nga pasojat e pasivitetit.

Pasiviteti fizik gjithashtu kontribuon në shëndetin e dobët mendor dhe izolimin shoqëror, të cilat mund të jenë veçanërisht problematike te të moshuarit.

Ekspertët theksojnë se hapat që mund të ndërmerren drejt forcimit të muskujve dhe shëndetit janë ushtrimet dhe marrja e proteinave përmes dietës.

Në shtëpi, kur futet një mbyllje pandemike, ushtrime të tilla mund të jenë ecja nëpër shkallë ose stërvitja me shirita elastikë, dhe shtimi i ecjes, çiklizmit ose ushtrimeve si joga ose pilates do të ndihmojnë ndjeshëm shëndetin fizik dhe mendor, thotë James McKendry pranë Universitetit McMaster.

Njerëzit e moshuar duhet të konsumojnë 1.2 deri 1.6 gram proteina për kilogram të peshës trupore në ditë, vërejnë shkencëtarët./Burimi:Top Channel