A Është Vërtetë i Nevojshëm Konsumi i Kafesë Për më Tepër Energji?

349 0

Nëse jeni në fund të një udhëtimi të gjatë ose jeni duke u përgatitur për një projekt dhe dëshironi të qëndroni zgjuar, kafeja mund të jetë një zgjidhje e shpejtë.

Por edhe pse kafeja mund të japë përfitime për organizmin, konsumimi në sasi të mëdha mund të ketë gjithashtu pasoja të rënda.

AgroWeb.org ju jep më poshtë disa këshilla të thjeshta për tu ndjekur, të cilat mund t’ju ndihmojnë të reduktoni këto rreziqe.

Mos e teproni me konsumin e kafesë

Që kafeina të jetë pjesë e një regjimi të shëndetshëm është e rëndësishme të dini se sa kafe mund të pini pa pasur pasoja negative.

Faktorët që duhet të merrni parasysh përfshijnë peshën tuaj trupore, medikamentet që merrni dhe ndjeshmërinë tuaj ndaj kafeinës.

Një filxhan kafeje prej 30 ml përmban rreth 96 mg kafeinë dhe ekspertët këshillojnë të mos konsumoni më tepër se 400 mg kafeinë në ditë, pra jo më shumë se 4 filxhanë në ditë.

Nëse jeni shtatzënë, ushqeni me gji ose keni shqetësime të tjera shëndetësore, AgroWeb.org ju rekomandon të flisni me mjekun tuaj.

Efektet e kafeinës në trup

Kafeina mund të rrisë presionin e gjakut dhe të ndërhyjë në përthithjen e kalciumit.

Në sasi të larta ajo mund të shkaktojë shqetësime të ritmit të zemrës dhe të ndikojë gjithashtu në zhvillimin e sistemit kardiovaskular dhe nervor të fëmijëve.

Kur pini një filxhan kafe për të qëndruar zgjuar, efekti i kafeinës ka të ngjarë të arrijë kulmin brenda një ore.

Megjithatë, ju mund të vazhdoni të ndjeni efektin e kafeinës për katër deri në gjashtë orë.

Mos shtoni përbërës të pashëndetshëm

Një filxhan i thjeshtë me kafe të zezë ka zero kolesterol dhe sheqer.

Por sapo të hidhni qumështin, sheqerin ose përbërës të tjerë, vlerat e saj ndryshojnë.

Në të shtohen kaloritë dhe yndyrnat e pangopura duke e bërë atë një pije më pak të shëndetshme.

Nëse nuk mund të konsumoni një kafe pa sheqer ose qumësht, ajo çfarë mund të bëni është të zgjidhni përbërësit e duhur.

Për shembull, ju mund të përdorni një qumësht pa kolesterol si ai i sojës, bajames, tërshërës ose kokosit.

Si të merrni më tepër energji pa konsumuar kafe

Nëse dëshironi mund edhe ta shmangni kafenë dhe të zgjidhni mënyra të tjera më të shëndetshme për më tepër energji.

Të tilla mund të jenë stërvitja, kufizimi i konsumit të alkoolit, konsumi i ujit dhe lëngjeve dhe shmangia e vakteve të rënda.

Konsumimi vakteve më të vogla me ushqime të shëndetshme gjatë gjithë ditës, në vend të kafesë, do t’ju ndihmojë të keni energjinë që ju duhet./AgroWeb.org