Aktiviteti Fizik Për Zhvillimin E Trurit Tek Fëmijët – Këshillat E Ekspertëve

1.6k 0

Aktiviteti fizik që në fëmijëri mund t’i ndihmojë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre emocionale, të cilat luajnë një rol vendimtar në zhvillimin e inteligjencës.

Sipas një studimi të ri, tek i cili AgroWeb.org u mbështet, aktiviteti fizik mund t’i ndihmojë fëmijët të arrijnë rezultate të larta gjatë viteve shkollore.

Por çfarë tregoi konkretisht studimi dhe si ndikon aktiviteti fizik tek fëmijët, AgroWeb.org ju fton ta mësoni më poshtë.

Çfarë tregoi studimi?

Aktiviteti fizik tek fëmijët, u mat nga faktorë që përfshinin intensitetin, kohëzgjatjen dhe kënaqësinë.

Për 7-vjeçarët, aktiviteti fizik ndikoi pozitivisht në aftësitë emocionale, duke çuar në rezultate më të larta në mësime.

Për 11-vjeçarët, aktiviteti fizik ishte i lidhur me përmirësimin e sjelljes dhe ndikoi gjithashtu pozitivisht në rezutatet e larta.

Ky përfundim sugjeron që aktiviteti fizik i vazhdueshëm, që moshë të hershme është një element i rëndësishëm në zhvillimin dhe shkollimin e fëmijëve.

Autorët e studimit gjithashtu theksuan rëndësinë e aktivitetit fizik tek fëmijët në mjediset me vështirësi socio-ekonomike. Sepse atyre mund t’iu mungojnë burimet ose mundësitë për të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar fizik.

Si i ndihmon aktiviteti fizik fëmijët?

Ekspertët e shëndetit shprehen se aktiviteti fizik ndihmon duke përmirësuar gjendjen e depresionit, ankthit dhe mirëqenies emocionale tek fëmijët.

Kjo ndodh për disa arsye:

Fëmijët e përfshirë në sport mësojnë si të menaxhojnë kohën dhe përmirësojnë aftësitë komunikuese.

Aktiviteti fizik i lejon fëmijët t’i shprehin emocionet përmes lëvizjes në një mënyrë produktive.

Sportet e organizuara iu mësojnë punën në grup dhe u lejojnë atyre të kenë ndjenjën e përkatësisë.

Përmirësimi i aftësisë fizike me anë të stërvitjes ose konkurrencës vijnë me sfida emocionale, me të cilat fëmijët mësojnë të përballen.

Endorfina çlirohet natyralisht gjatë stërvitjes, duke shkaktuar një ndjenjë kënaqësie.

Të gjitha këto ndihmojnë dhe përmirësojnë zhvillimin e trurit.

Në përgjithësi, kur fëmijët ndihen mirë për veten e tyre, ata e kanë më të lehtë për të menaxhuar emocionet.

Çfarë duhet të dini më tepër

Të mësosh një fëmijë të shprehë dhe të emërtojë emocionet është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit.

Ndoshta gjëja më e mirë që mund të bëni si prindër është të modeloni sjelljen që dëshironi të shihni tek fëmijët tuaj.

Krijimi i një ambienti pranues dhe të ndjeshëm ndaj emocioneve, i ndihmon fëmijët të kuptojnë emocionet e tyre.

Edukimi i fëmijëve për rëndësinë e aktivitetit fizik dhe praktikimi, mund të ndryshojë trajektoren e shëndetit të tyre në një mënyrë pozitive dhe afatgjatë.

Gjithashtu nëse kryeni aktivitete fizike bashkë me fëmijët tuaj është një ide e shkëlqyer.

Sepse jo vetëm që kaloni kohë pranë familjes, por ndikon pozitivisht në shëndetin dhe mirëqënien tuaj dhe të fëmijëve tuaj./AgroWeb.org