Aloe Vera, Hudhra dhe Çaji Bimor – Numrat një për Mirëqënien e Organizmit

1.2k 0

Kurat më të famshme të mjekësisë tradicionale

Aloe vera, hudhra dhe çaji bimor, janë përbërësit më popullorë të kurave më të famshme mjekësore bimore, citon AgroWeb.org një studim të ri të publikuar në Universitetin RMIT në Australi.

Studiuesit mbikqyrën mijëra persona dhe përdorimet e 24 kurave mjekësore bimore më të zakonshme.

Studimi tregoi se 22.6 përqind e pjesëmarrëve në studim i kishin përdorur të paktën një nga produktet e përmendura në 12 muajt e fundit.

Konsumatorët e moshave 35-54 vjeçarë që ishin të arsimuar dhe me të ardhura të mira ishin përdorues të përhershëm të këtyre kurave.

AgroWeb.org ju tregon se 10 % e pjesëmarrëve në studim përdornin më shumë aloe vera, hudhër dhe çaj bimor.

Barishtet e tjera më të përdorura përfshinin xhenxhefilin, xhinsengun, nenexhikun, lulerradhiqen, lulen e basanit dhe aguliçen.

Studimi zbuloi gjithashtu se 90% e njerëzve ishin të mendimit se mjekësia popullore është më e dobishme në garantimin e shëndetit dhe mirëqenies dhe për trajtimin e disa problemeve mjekësore.

“Kjo është shumë e rëndësishme sipas këndvështrimit klinik,” u shpreh Profesor Charlie Xue që udhëhoqi ekipin e studiuesve.

Sipas tij, shumë njerëz që vuajnë nga simptoma kronike, probleme me lëkurën, çrregullimet e gjumit, ankthi, dhimbjet e stomakut, i ftohti, gripi dhe ethet gjenin shërim pikërisht në këto kura mjekësore.

Aloe Vera përmban më shumë se 200 enzima biologjikisht aktive, vitamina, minerale dhe amino acide.

AgroWeb.org citon botimin ‘The Journal of Environmental Science and Health’ që thotë se kjo bimë lufton mykun, virozat dhe bakteret.

Ajo mbështet sistemin imunitar dhe pastron organizmin nga patogjenët dhe helmet e dëmshme.

Vetitë dhe Vlerat

Kjo bimë mjekësore përmban minerale si: magnezi, kromi, kaliumi, mangani, kalciumi, zinku, seleniumi, bakri dhe hekuri, të cilat së bashku mbrojnë shëndetin.

Njëzet nga njëzet e dy amino acidet thelbësore për organizmin së bashku me acidin salicilik që nevojiten për të luftuar bakteret dhe inflamacionit janë të gjitha të grumbulluara në një bimë të vetme: Aloe Vera.

Aloe Vera largon toksinat nga veshkat, mëlçia, stomaku, shpretka, zorra e trashë dhe tëmthi.

AgroWeb.org informon se ajo zgjidh problemet me stomakun, inflamacionin intestinal, tretjen dhe ulçerën.

Vlerat e saj mjekësore janë të mrekullueshme sidomos për ata që vuajnë nga artriti.

Mënyra më e lehtë dhe më e shijshme për të përftuar nga kjo bimë është nëpërmjet lëngut të saj.

Lëngu mund të bashkohet me lëngje të tjera ose të pihet veçmas. Është e rëndësishme që të përdorni lëng të pastër Aloe Vera që nxirret nga xheli në brendësi të gjetheve.

Çfarë vërehet kohët e fundit

Popullariteti në rritje i Aloe Verës ka çuar në zhvillimin e industrisë së produkteve falso me përbërje të rremë Aloe Vera.

Një investigim i Bloomberg Network tregoi se shumë prej produkteve me Aloe Vera që shiten në SHBA nuk përmbajnë substancën bazë: Aloe Vera.

Ndonëse shumë prej produkteve e rendisnin lëngun e Aloe Verës të dytin ose të tretin për nga rëndësia, por asnjë prej tyre nuk përmbante tre substancat thelbësore të Aloe Verës.

Kërkimet e Bloomberg treguan gjithashtu se në këto produkte gjendej maltodekstrina, një substancë e lirë që përdoret për të mbushur produktet e rreme me Aloe Vera.

Testimet e xhelit të Aloe Verës të përdorur në këto produkte treguan se në to nuk kishte asnjë gjurmë të acemananit, acidit malik dhe glukozës që përbëjnë xhelin e kësaj bime të rëndësishme.

Përdoruesit e Aloe Verës duhet të sigurohen që po marrin bimën e vërtetë dhe nënproduktet e saj vetëm duke e rritur në shtëpi ose nga një shitës i besuar.

Nëse e rrisni në shtëpi, priteni gjethen dhe shfrytëzoni xhelin për problemet tuaja./AgroWeb.org