Gjiza Shqiptare, Vlerat dhe Përfitimet Për Shëndetin

6.3k 0

Gjiza e Shqipërisë nuk ka të dytë. Si ajo, nuk gjen në asnjë vend të botës.

Imitime të saj kryesisht pa kripë, gjen kudo, jo vetëm në vendet e rajonit por edhe më tej, por gjiza autentike e Shqipërisë nuk ka as rivalë as kundërshtarë.

Shqipëria krenohet me shumë produkte të veçanta dhe tradicionale dhe gjiza është padyshim ndër më të mirat.

Gjizën e përdorim në shumë receta të përditshme festive. Gjiza shkon mirë me speca të skuqur, me vezë, me spinaq, vaj ulliri e hudhër.

Ajo është antipasta e preferuar e burrave që e shoqërojnë atë me raki.

Vështirë të gjesh një ushqim të shpejtë, të shijshëm dhe plot vlera siç është gjiza.

Por nuk është vetëm shija e saj, e mjaftueshme për t’iu dorëzuar kënaqësisë që të ofron ky produkt bulmeti, po aq të rëndësishme janë edhe vlerat shëndetësore që organizmi përfiton kur e konsumojmë atë.

Lexoni për disa arsye madhore të renditura nga ekspertët e AgroWeb.org që do t’ju bëjnë ta përfshini gjizën në ushqimet e përditshme.

Vlerat shëndetësore të gjizës

Gjiza është e pasur me proteina, kalçium dhe ushqyes të tjerë të shëndetshëm.

Gjiza është në ushqim i preferuar i njerëzve që tregojnë kujdes për shëndetin, atyre që vrapojnë, notojnë dhe ngrejnë pesha.

Kjo devotshmëri vjen sepse gjiza përmban sasi të mëdha të proteinës kaseinë dhe nivele tepër të ulëta të yndyrës.

Gratë shtatzënë duhet të konsumojnë gjizë sepse është produkti më i sigurtë mes produkteve të tjera të bylmetit.

Më poshtë do të lexoni për 4 përfitimet që vijnë nga ky produkt bylmeti sipas ekspertëve të AgroWeb.org

Gjiza ndihmon në rënien në peshë

Sportistët dhe dashamirësit e aktivitetit fizik janë të marrosur pas gjizës.

Ajo përmban pak kalori dhe shumë proteina.

Rrjedhimisht, gjiza të ngop më shpejt.

Ajo përmban shumë kalcium që i bën mirë kockave dhe stimulon rënien në peshë.

Gjiza të ngop dhe nuk të rëndon

Proteina kaseinë të cilën e përmendëm më lart ndihmon të shuajë kapriçot e urisë.

Gjiza rekomandohet të konsumohet edhe në mbrëmje ose gjatë natës, kur uria godet papritur.

Ajo është e lehtë dhe nuk rëndon në stomak.

Për më tepër, proteina shoqërohet me amino acide që e mbajnë trupin të ushqyer dhe të mbrojtur.

Burim i kompleksit të vitaminave B

Ekspertët e AgroWeb.org konfirmojnë se gjiza është një burim i shkëlqyer i vitaminave B, të cilat ndihmojnë me shëndetin e zemrës, tretjen, funksionet e metabolizmit, të trurit e të tjera.

Kur hani gjizë , organizmi furnizohet jo vetëm me vitaminën B12 por edhe me riboflavin, niacinë, acid folik, acid pantotenik dhe thiaminë.

Gjiza është burim probiotikësh

Gjiza është e pasur me baktere të mira për stomakun, të njëjtat që gjenden tek kosi.

Në këtë mënyrë, ajo është një ushqim i shkëlqyer për njerëzit që vuajnë nga problemet me tretjen.

Këto vlera janë të mëdha tek një produkt i bërë në shtëpi, ose nga fermerë të besuar.

Vlerat ushqyese të gjizës

Profili i saj ushqimor është i pasur por në varësi të llojit të qumështit dhe kripës së përdorur.

Në një sasi prej 226 gramë gjizë të prodhuar nga qumësht me pak yndyrë do të gjeni:

163 kalori

28 gramë proteinë

6.1 gramë karbohidrate

2.3 gramë yndyrë

30% të dozës së rekomanduar ditore të fosforit

30% të dozës së rekomanduar të sodiumit

29 % të dozës së rekomanduar të seleniumit

24% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës B12

22% të dozës së rekomanduar ditore të riboflavinës

14% të dozës së rekomanduar ditore të kalçiumit

7% të dozës së rekomanduar ditore të acidit folik

Ekspertët e AgroWeb.org theksojnë se gjiza përmban sasi të mjaftueshme të vitaminave B1, B3, B6, A por edhe hekur, magnez, zink dhe bakër.

Ajo duhet konsumuar rregullisht, së bashku me ushqime të tjera të shëndetshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.