Dita Botërore e Mjedisit 2018 – Iniciativat në Shqipëri Kundër Ndotjes Nga Plastika

1.2k 0

Në botë, rreth tetë milion ton mbeturina plastike përfundojnë në oqeane çdo vit.

Në 2017, njerëzit në mbarë botën blinin një milion shishe plastike për minutë, 91% e të cilave nuk riciklohen dhe shkaktojnë ndotje të sistemeve natyrore duke kërcënuar peshqit, zogjtë dhe kafshët detare, dhe më pas hyjnë në zinxhirin ushqimor me efekte ende të paqarta në shëndetin tonë.

Statistika të tilla tregojnë vetëm majën e ajsbergut të çështjes së mbetjeve

Një nismë tjetër botërore për të goditur ndotjen nga plastika është Dita Botërore e Mjedisit e OKB-së, e cila po zhvillohet sot për herë të 44-të.

Dita Botërore e Mjedisit është data më e rëndësishme e OKB-së për të inkurajuar ndërgjegjësimin dhe veprimin global për mbrojtjen e mjedisit tonë.

Duke filluar që në vitin 1974, ajo është përhapur duke u shndërruar ne një platformë mbarëbotërore për informim publik që kremtohet në mbi 100 vende.

Tema për vitin 2018, “Beat Plastic Pollution”, është një thirrje për veprim për secilin prej nesh për të luftuar një nga sfidat më të mëdha të mjedisit të kohës sonë, ndotjen nga plastika.

AgroWeb.org i ka kushtuar një artikull kësaj teme, duke ofruar këshilla se si mund të bëjmë ndryshime në jetën tonë të përditshme për të zvogëluar ndikimin e ndotjes plastike në mjedisin dhe në shëndetin tonë.

Sot duam të shqyrtojmë se çfarë iniciativa po ndërmerr Shqipëria për të trajtuar problemin e ndotjes plastike, mjaft të dukshëm në vend.

Shqipëria ndalon prodhimin, importin dhe tregtimin e qeseve plastike

Ky është padyshim një lajm i mirë: Nga korriku i këtij viti, çdo biznes shqiptar që prodhon, importon ose shet qese plastike do të dënohet.

Vendimi i Këshillit të Ministrave u prezantua nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë takimit me grupet e interesit, prodhuesit dhe importuesit e qeseve plastike.

Pas miratimit të këtij vendimi, çdo biznes që tregton qese plastike të lehta polietileni (nën 35 mikronë) do të gjobitet nga 1 milion deri në 1.5 milionë lekë.

Këto masa kryesisht i drejtohen importuesve të mëdhenj, por ligji nuk përjashton tregtarët më të vegjël si supermarketet dhe dyqanet.

Ministri Klosi theksoi se marrja e kësaj mase drastike u diktua nga situata katastrofike në mjedisin shqiptar si rezultat i përdorimit të qeseve plastike, të cilat jo vetëm që ndikojnë në habitatin natyror dhe në shëndetin tonë, por gjithashtu e vënë në rrezik turizmin në rritje të Shqipërisë.

Ai gjithashtu paralajmëroi se, pas ndalimit të importit të çantave plastike nën 35 mikronë, gjithashtu duhet të priten vendime të mëtejshme lidhur me makinat e prishura dhe vendet e grumbullimit të mbeturinave, si pjesë e 15 iniciativave mjedisore

Pastrimi i plazhit në Durrës

Më 30 qershor 2018 do të organizohet një aksion për pastrimin e plazhit në Durrës.

Iniciativa është organizuar nga ndërkombëtarët që jetojnë në Shqipëri dhe fillon në Durrës Hostel në orën 9, me mundësi transporti nga Tirana.

Natyrisht, kjo nuk është shumë dhe vetëm fillimi. Tani i takon secilit prej nesh, shoqërisë civile, grupeve të komunitetit, shkollave, universiteteve dhe bizneseve për të vazhduar luftën dhe të frymëzojnë të tjerët për të vepruar.

Sepse çdo veprim i vetëm – pa marrë parasysh se sa i vogël – llogaritet, dhe Dita Botërore e Mjedisit është Dita e Njerëzimit, në fund të fundit./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.