Gripi Stinor dhe Covid-19: Cilat Janë Simptomat e Kombinimit Të Infektimeve?

646 0

Për të përshkruar gjendjen e pacientit që është i infektuar me këto dy viruse në të njëjtën kohë, në botë është duke u përdorur termi Flurona.

Sipas asaj që është shkruar deri më tani, Flurona nuk është ndonjë variant i ri i koronavirusit e as një sëmundje e veçantë.

Edhe pse fjala “Flurona” është relativisht e re, infektimet me COVID-19 dhe grip stinor në të njëjtën kohë nuk janë të reja.

Rastet e para me Flurona janë zbuluar në vende të ndryshme të botës duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin, Brazilin, Filipinet dhe Hungarinë.

Washingtion Post raporton se përderisa shumë vende ndjekin rastet e koronavirusit dhe gripit, duket se ka pak të dhëna se sa njerëz i kanë këto dy viruse në të njëjtën kohë.

Derisa çdo ditë e më shumë po shfaqen raste të reja të infeksionit të dyfishtë, ekspertët e shëndetit dhe mjekët theksojnë se vaksinat kundër koronavirusit dhe gripit mbeten mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga infeksionet e rënda.

Çfarë dihet për rastet me Flurona?

Rasti i parë i gjurmuar në Izrael i një personi të infektuar me COVID-19 dhe me grip stinor në të njëjtën kohë u konfirmua nga Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi të martën më 4 janar 2022, duke ngritur shumë pikëpyetje se si dy viruset mund të ndikojnë te dikush që është i infektuar me të dy viruset në të njëjtën kohë.

Pacientja, një grua shtatzënë e pavaksinuar rreth 30 vjeçe, u lirua të enjten më 5 janar “në gjendje të mirë të përgjithshme”, tha në një deklaratë spitali Beilinson në Petah Tikva, raporton CNN.

“Kjo është nëna e parë që u diagnostikua me grip dhe koronavirus në Beilinson. Ne e trajtuam atë me një kombinim ilaçesh që synon, si koronën, ashtu edhe gripin,” tha në deklaratë Arnon Wiznitzer, drejtor i Departamentit për Gratë në Beilinson.

Shpërndarja e gripit në dy vitet e kaluara, sipas ekspertëve, është frenuar për shkak se shumë qeveri në botë kishin vendosur masa kufizuese në luftën e tyre ndaj COVID-19.

Lirimi i masave dhe mospërdorimi i maskave mbrojtëse në muajt e fundit, sipas tyre, ka ndikuar që të shtohen rastet me variantet e COVID-19, si dhe me grip stinor.

Ata parashohin përhapje të shpejtë të gripit edhe për shkak të takimeve familjare dhe tubimeve të ndryshme gjatë festave në fund të vitit.

Shpjegimi i OBSH-së

Organizata Botërore e Shëndetësisë – (OBSH) thotë se të dy viruset, si koronavirusi ashtu edhe gripi stinor, mund të kenë simptoma të njëjta dhe mund të jenë fatale për njerëzit.

“Të dy viruset ndajnë simptoma të ngjashme, duke përfshirë kollën, rrjedhje hundësh, dhimbje të fytit, ethe, dhimbje koke dhe lodhje. Njerëzit mund të kenë nivele të ndryshme të sëmundjes si me COVID-19, ashtu edhe me grip. Disa mund të mos kenë simptoma, mund të kenë simptoma të lehta ose sëmundje të rënda. Si gripi, ashtu edhe COVID-19 mund të jenë fatale”, thotë OBSH-ja.

Sa i përket shpërndarjes, OBSH-ja thotë se të dyja viruset, si COVID-19, ashtu edhe gripi, përhapen thuajse në mënyrë të njëjtë, kur një person i infektuar kollitet, teshtin, flet, këndon ose merr frymë.

Spërkalat e personit të infektuar, sipas OBSH-së, mund përfundojnë në sytë, hundën ose gojën e njerëzve që janë afër, zakonisht brenda një metri nga personi i infektuar, por ndonjëherë edhe më larg.

Njerëzit, gjithashtu, mund të infektohen me COVID-19 dhe me grip duke prekur sipërfaqe të kontaminuara, më pas duke prekur sytë, hundën ose gojën pa i pastruar duart.

Sipas OBSH-së, të gjitha moshat mund të infektohen me virusin COVID-19 dhe virusin e gripit stinor, por më të rrezikuarit janë të moshuarit, njerëzit me sëmundje kronike, njerëzit me kushte imunosupresive si HIV/AIDS, pacientët që marrin kimioterapi ose steroide, ose ata që vuajnë nga sëmundjet malinje.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor thuhet se janë në rrezik të lartë për t’u infektuar nga COVID-19 dhe në rrezik të lartë për t’u infektuar nga gripi stinor.

Ndërkohë që shtatzënat dhe ato që kanë lindur kohët e fundit janë në rrezik të lartë për të përjetuar grip të rëndë dhe COVID-19 të rëndë./Burimi:Panorama