Për Sa Gjatë Mund Të Rezultoni Pozitivë Ndaj COVID-19? Çfarë Duhet Të Bëni

523 0

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) udhëzon se çfarë duhet bërë në 10 ditët pasi rezultoni ende pozitivë në testin për COVID-19.

Sipas udhëzimeve ata që nuk shfaqin simptoma mund t’i japin fund izolimit pesë ditë pas testit pozitivë.

Njerëzit që kanë shfaqur simptoma mund t’i japin fund izolimit pas pesë ditësh vetëm nëse simptomat përmirësohen dhe nuk kanë temperaturë për 24 orë.

Pas daljes nga izolimi, ata duhet të vazhdojnë të mbajnë maskë deri në ditën e 10-të.

Por sipas CDC, njerëzit mund të vazhdojnë të rezultojnë pozitivë për COVID-19 deri në tre muaj pas infeksionit të tyre fillestar.

Cilat janë rekomandimet në këtë rast? A do të thotë kjo se jeni akoma ngjitës? AgroWeb.org ju njeh me atë çfarë duhet të dini.

Për sa kohë rezultojnë zakonisht njerëzit pozitivë për COVID-19?

Në pjesën më të madhe, njerëzit rezultojnë pozitivë për COVID-19 në një test të shpejtë deri në 10 ditë.

Por kur përdorin testet e reaksionit zinxhir polimerazë (PCR), mund të rezultojnë pozitivë deri në dy muaj.

Në gusht 2020, agjencia CDC përditësoi udhëzimin e saj të izolimit.

Ata sqaruan se njerëzit mund të vazhdojnë të rezultojnë pozitivë deri në tre muaj pas diagnozës fillestare, por nuk janë infektues në atë periudhë.

Mospërputhjet midis testeve dhe gjatësisë së rezultateve pozitive varen nga ajo që kërkon secili test dhe ndjeshmëria e tyre.

Për shembull, testet PCR janë krijuar për të kapur ARN-në virale, ose materialin gjenetik të virusit.

Edhe nëse virusi është i vdekur, ARN-ja mund të jetë ende aty, kështu ju mund të merrni një rezultat të rremë pozitiv deri në disa muaj pas infektimit.

Ndërkohë, testet e antigjenit, të njohura si teste të shpejta, zbulojnë antigjene ose proteina specifike nga virusi.

Këto teste janë në përgjithësi më pak të ndjeshme sesa testet PCR dhe të dyja testet funksionojnë më mirë tek njerëzit simptomatikë.

Sipas CDC, shumica e njerëzve që vazhdojnë të rezultojnë pozitivë edhe pasi janë shëruar nga virusi, nuk duhet të shqetësohen për kalimin e virusit te të tjerët.

Por ata që kanë një sistem imunitar të dobësuar ose kanë kaluar një periudhë të rëndë me COVID-19 dhe vazhdojnë të testohen pozitivë duhet të kenë shumë kujdes.

Disa njerëz, veçanërisht ata me një sistem imunitar të dobësuar, mund të vazhdojnë të jenë ngjitës për një periudhë më të gjatë kohore. Veçanërisht nëse ata vazhdojnë të kenë simptoma.

Ekspertët e shëndetit rekomandojnë zgjatjen e periudhës së izolimit deri në 20 ditë për njerëzit që kanë qenë ose janë sëmurur rëndë me COVID-19./AgroWeb.org