Përdorimet e Panumërta të Mjaltit në Shtëpi

527 0

Fakti që mjalti i ruan të gjithë ushqyesit e rëndësishëm të paprekur, i jep atij rolin e ofruesit të një sërë vlerave të rëndësishme shëndetësore, pavarësisht përdorimit të tij. Ekzistojnë disa teori sipas të cilave, ndërveprimi i parë mes njerëzve dhe bletëve erdhi 8000 vjet më parë, i frymëzuar nga ritualet e lashta medicinale. Më poshtë AgroWeb.org ju sjell disa prej mënyrave se si mjalti arrin të shërojë disa sëmundje.

I ftohti dhe gripi

Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se mjalti funksionon njësoj si ilaçet kundër të ftohtit dhe kollës. Në shtëpi mund të përgatisni vetë një shurup kolle duke përdorur një filxhan me mjaltë cilësor shqiptar, një lugë gjelle me lëng limoni dhe 2 lugë çaji me sherebelë.

Përzijini së bashku, ngrohini, lërini të ftohen dhe kullojini për të shmangur gjethet e sherebelës. Lëngun pijeni disa herë në ditë që të qetësoheni nga kolla. Ky lëng mund të ruhet në frigorifer për deri një muaj dhe ia vlen të përdoret kryesisht në dimër kur sëmundje të tilla arrijnë kulmin.

Shëron plagët

Përpara se penicilina të përdorej masivisht, njerëzimi i viteve më parë, i kishte varur shpresat tek mjalti për të trajtuar plagët e infektuara. Mjalti bën punë edhe kundër djegieve të imëta, madje në shumë raste është me efektiv se trajtimet me antibiotikë. Mjalti ka një përmbajtje natyrale të disa substancave që funksionojnë si antibiotikë.

Problemet me tretjen

Konsumimi i mjaltit zgjidh problemet me diarenë, dhe parandalon ulçerën, një prej simptomave të rrezikshme që i kanoset njeriut. Kjo vjen falë sasisë së kaliumit dhe ujit që mund të ndihmojnë në hidratimin e mureve të mukozës në aparatin tretës.

Për më tepër, mjalti është një prebiotik natyral që stimulon rritjen e baktereve të mira në stomak, duke ofruar një mburojë të mirëfilltë natyrale.

Gjumë të qetë

Gjumi i qetë është thjesht një lugë gjelle me mjaltë larg. Kjo teori ka nevojë për më shumë studime, e megjithatë konkluzionet e deritanishme thonë se mjalti përmirëson gjumin, duke i dhënë mëlçisë glikogjen ndërkohë që trupi pushon. Një gjë e tillë qetëson trurin dhe parandalon aktivizimin e kundërpërgjigjeve të stresit.

Flokë dhe lëkurë të shëndetshme

Falë aftësive shëruese, mjalti mund të përdoret edhe në flokë dhe lëkurë.
• Ushqen lëkurën e thatë. Mënyra më e thjeshtë për të zbrapsur lodhjen nga fytyra është të lyeni zonat e thata me mjaltë, ta mbani për 15 minuta dhe më pas ta shpëlani me ujë të vakët.

• Shërben për fërkim të thellë. Nëse në trupin tuaj keni zona tepër të thata që kanë nevojë për zbutje të menjëhershme (siç ndodh me thembrat dhe bërrylat) atëherë përzieni një lugë gjelle me mjaltë dhe dy lugë gjelle me sodë buke. Më pas fërkoni me to zonat e thata dhe do të mund të largoni qelizat e vdekura dhe të rifreskoni lëkurën natyralisht.

• Pastroni njollat e akneve. Mjalti është një kurë natyrale kundër akneve. Duke qenë se mundet të luftojë bakteret, mjalti arrin të përthajë zonat e infektuara. Aplikoni mjaltë në këto zona një herë në ditë, lëreni të qëndrojë mbi njolla e plagë dhe më pas shpëlajeni me ujë. Shumë prej atyre që kanë përdorur këtë metodë kanë vënë re një zbardhje dhe zbutje të lëkurës falë mjaltit.

• Ushqen flokët. Shtoni pak mjaltë në shampon tuaj të preferuar që të ushqeni flokët sa më shumë. Mjalti do të çelë edhe ngjyrën tuaj të flokëve, sidomos nëse jeni në kërkim të shkëlqimit të bukur dhe natyral./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.