Peshk i Egër apo Rezervati – Si të Zgjidhni më të Mirin

3.7k 0

Ekspertët më në zë të shëndetit dhe ushqyerjes së mirë rekomandojnë që njerëzit të hanë më shumë peshk.

Peshku përmban shumë proteinë dhe pak kalori, kolesterol apo yndyrë të ngopur.

Disa peshq janë burime të shkëlqyera të acideve yndyrore omega-3 të cilat ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe ishemisë.

Acidet yndyrore në fjalë janë të nevojshme edhe në fazat fillestare të shtatzanisë, sepse mundësojnë zhvillimin e trurit tek fetusi.

Peshqit më të pasur me acide yndyrore janë salmoni, trofta e liqenit, sardelet, toni dhe harenga.

Si rrjedhojë e vlerave shëndetsore që ofrojnë këto peshq, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që një i rritur të hajë rreth 250 gramë peshk në javë.

Në përgjithësi, peshqit e egër vlerësohen si më të pasurit në vlera.

Megjithatë, në 20-vjeçarin e fundit janë rritur shqetësimet për ndotjen masive të ujrave.

Ndotja vjen nga metalet e rënda, pesticidet, qeset plastike dhe plehrat që kërcënojnë sigurinë e ujit dhe peshkut.

A Është e Sigurt Praktika e Fermave Ujore?

Kërkesat e larta për peshk dhe praktikat problematike të peshkimit kanë lënë një gjurmë të dëmshme në mjedis dhe në sasinë e peshkut që gjendet në ujërat e deteve dhe oqeaneve.

Ndërkohë akuakultura, e njohur si praktika e rritjes së peshqve nëpër rezervate është aplikuar prej shekujsh në mbarë globin, sigurisht edhe në Shqipëri.

Popullariteti i kësaj praktike është në rritje, si pasojë e shqetësimeve të lartpërmendura dhe kërkesës së lartë për këtë produkt.

Rezervatet moderne plotësojnë një sërë kërkesash të sigurisë.

Por peshqit mund të shumohen me specie të llojeve të ndryshme, duke çuar në uljen e specieve të egra të peshqve.

Fermat ujore krijojnë sasi gjigande të mbetjeve organike që nëse nuk përpunohen siç duhet, mund të ndotin ujin në zonat perreth tyre.

Për momentin, nuk ka një përgjigje të prerë lidhur me zgjedhjen tuaj, pasi edhe peshku i rezervatit nuk i humbet cilësitë nëse rritet në kushtet e duhura.

Por me këshillat e AgroWeb.org do të mund të merrni vendimin e duhur.

Si Të Bëni Zgjedhjen e Duhur Mes Peshkut Të Egër Dhe Të Rezervatit

  • Gratë shtatzënë, ato lehonë dhe fëmijët e vegjël duhet të shmangin produkte të peshkut shpatë, skumbrisë apo tonit të ardhur kryesisht nga ujëra të kontaminuara. Këto produkte besohet të jenë të ndotura me mërkur.
  • Konsumoni peshk të gatuar mirë e të blerë në tregtarë të besueshëm.
  • Kur të blini peshk, kërkoni informacion për origjinën e tij.
  • Blini peshk vendas, të rritur në ujërat shqiptare në mënyrë që të garantoni sigurinë dhe cilësinë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.