Rikthimi i Lakrës në Arenën e Kampionëve të Shëndetit

833 0

Lakra ka pësuar një rikthim në arenën e ushqimeve më të shëndetshme për organizmin e njeriut. Sipas Wall Street Journal,  lakra është kryefjala e ushqyerjes gjatë pandemisë së koronavirusit.

E përse të mos jetë kështu?! Lakra kushton pak, qëndron gjatë, përdoret në shumë receta gatimi, është plot e për plot me vitaminë C, K, dhe B6

Ajo është gjithashtu një burim i mirë  i manganit, fibrës dietike, kaliumit, kalciumit vitaminës B1, folatit dhe bakrit.

Lakra përmban magnez, selenium, hekur, proteinë, fosfor dhe niacinë.

Në aspektin ekonomik, lakra është perimja e dytë më e gatuar në botë.

Të dhënat e Wall Street Journal, të cilave u referohet AgroWeb.org thonë se lakrës i janë thurur lavde që në Egjiptin dhe Greqinë e Lashtë.

Ajo është ndër perimet e para të familjes botanike Brassica që është kultivuar në tokë.

Pjesë e kësaj familjeje botanike janë edhe brokoli, lulelakra dhe lakrat e vogla.

Ekspertët kanë gjetur gjurmë të lakrs turshi që është përdorur për të ushqyer punëtorët që ngritën Murin e Madh të Kinës në shekullin e tretë para Krishtit.

Një filxhan me lakër turshi përmban 35 përqind të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës C dhe 23 përqind të vitaminës K.

Vitamina C luan rolin e antioksidantëve ndërsa vitamina K ka ndikim në mpiksjen e gjakut, por të dyja janë thelbësore për kocka të forta.

Në ditët e distancimit social për shkak të pandemisë, ekspertët kanë vënë re një përdorim të lartë të lakrës, jo vetëm në sallata por edhe në gjellëra të ndryshme dhe në salca të larmishme.

Një të tillë e gjeni këtu në AgroWeb.org

Sallatë Me Lakër Dhe Mish Pule

Për përgatitjen e kësaj sallate ju nevojiten:

  • 6 filxhanë çaji lakër të grirë hollë
  • 1 filxhan e gjysmë çaji me mish të bardhë pule
  • 1 qepë e njomë e prerë hollë
  • 3 lugë gjelle bajame të pjekura e të prera në copa
  • 2 lugë çaji fara susami të pjekura.

Për marinimin ju nevojitet:

  • Gjysmë lugë çaji sheqer
  • 1 lugë çaji kripë
  • Gjysmë luge çaji piper të zi pluhur
  • Treçerek filxhan çaji uthull molle
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri

Grijeni lakrën hollë dhe hidheni në një tas të madhe sallate.

Shtypeni me duar duke hedhur kripë dhe uthull.

Ziejeni mishin e pulës dhe më pas kur të jetë ftohur shpërbëjeni në copa të vogla dhe hidhini tek lakra.

Shtoni qepët e njoma, erëzat, kripën, sheqerin e piperin por dhe vajin e ullirit dhe servireni menjëherë./AgroWeb.org