Rradhiqet – Super Vlerat Pas Gjetheve të Hidhura

3.7k 0

Shija e hidhur e rradhiqeve është si një perde pas së cilës fshihen një sërë vlerash të mrekullueshme shëndetësore dhe ushqimore.

Rradhiqet janë bimë të egra fantastike. Ato renditen tek bimët e pasura me vitaminë K, një përbërës i fuqishëm anti inflamator dhe me efekt parandalues ndaj infeksioneve, sidomos në periudhën e pranverës kur organizmi ka shumë nevojë për vitamina.

Shija e tyre e hidhur është si një perde pas së cilës fshihen një sërë vlerash të mrekullueshme shëndetësore dhe ushqimore. Rradhiqet janë shumë të shëndetshme veçanërisht kur konsumohen të gjalla ose sa më pak të gatuara.

Rradhiqet në Shqipëri rriten si bimë të egra deri edhe në oborret e shtëpive. I gjeni kryesisht në tregjet e vogla të fshatarëve, të cilët i shesin në sasi të vogla dhe me çmime shumë të lira, së bashku me bimët e tjera të egra si çikorja, lëpjeta, lulëkuqja etj.

Si ta ëmbëlsoni shijen e rradhiqes?

Shtoni lëng limoni dhe erëza. Rradhiqet e egra kanë një shije të fortë. Nëse nuk e përballoni dot shtrydhni pak lëng limoni, kripë dhe piper dhe shijojeni

Shpëlajeni me ujë të ftohtë,shumë herë. Sipas të dhënave, shpëlarja e bollshme e gjetheve në ujë të ftohtë, mundësisht të akullt zbut pak hidhësinë e saj.

Nëse planifikoni t’i gatuani rradhiqet, atëherë hidhini gjethet në një tenxhere me ujë të valuar për më shumë se 30 sekonda. Nxirrini dhe vendosini në një enë me ujë të ftohtë. Kjo procedurë do të zbusë shijen e gjetheve. Është e njëjta metodë që përdoret për heqjen e djegësisë së hithrave.

Vlerat shëndetësore të rradhiqes

Ndonëse shija mund t’jua bëjë të vështirë pëlqimin pa kushte të kësaj bime, rradhiqet kanë vlera shumë të mira ushqimore. AgroWeb.org ka përzgjedhur disa prej tyre.

Në njëqind gramë gjethe të egra gjenden tre gramë fibër. Kjo e fundit pjesërisht parandalon përthithjen e yndyrnave nga ushqimet që ne konsumojmë. Ajo kontribuon në mënyrë jo të drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak.

Rradhiqet janë një burim i pasur i inulinës, një lloj fibre e veçantë e ngopur, që stabilizon nivelin e sheqernave në gjak. Nëse keni probleme me diabetin atëherë duhet të dini që rradhiqet janë një ushqim i sigurt për t’u konsumuar.

Rradhiqet janë një bimë e pasur me vitaminë K që është përgjegjëse për përthithjen dhe ruajtjen e duhur të kalciumit në trup. Për më tepër, vitamina K orienton kalciumin të fokusohet tek kockat dhe dhëmbët.

Për Zemrën, Kockat dhe Tretjen

Rradhiqet janë të rekomandueshme për të ruajtur shëndetin e kockave dhe atë kardiovaskular.

Insulina, që e përmendëm më lart është një probiotik i natyrshëm që favorizon zhvillimin e florës bakteriale në stomak. Bakteret e mira në sistemin tretës, jo vetëm mbështesin proçesin e tretjes. Ato mbrojnë mukozën e stomakut nga lëndimet dhe fuqizojnë imunitetin.

Rradhiqet mbrojnë dhe forcon shëndetin e syve, hundës, gojës, fytit, mushkërisë dhe aparatit tretës që janë lehtësisht të ekspozuar nga bota e jashtme.

Rradhiqet janë të pasura me agjentë anti-inflamatorë dhe antioksidantë që mbrojnë nga radikalet e lira.

Konsumimi i Rradhiqeve

Rradhiqet janë fantastike për t’u konsumuar gjatë kohës kur trupi ynë ka nevojë për më shumë vitamina. Përshembull gjatë pranverës për shumicën e njerëzve dhe në kohën e shtatzanisë për femrat. Rradhiqet janë një burim i pasur folati dhe u bën mirë grave shtatzëna.

Për më tepër, ata që janë të kujdesshëm me peshën, duhet të dinë që në 100 gramë gjethe gjenden 17 kalori. Me më pak se 1% yndyrë dhe 93% ujë, rradhiqet janë shumë të rekomandueshme për të gjithë ata që duan të mbajnë kolesterolin nën kontroll. /AgroWeb.org