Shqetësimet që Sjell Inflamacioni – Mos Iu Ndani Këtyre Ushqimeve

492 0

Inflamacioni është një reagim i imunitetit ndaj një lëndimi fizik, infeksioni ose pranisë së një toksine dhe lënde të huaj në organizëm.

Qëllimi i tij është që të ndihmojë trupin të eliminojë këto substanca të huaja dhe të riparojë dëmin e kryer.

Inflamacioni ndahet në dy kategori: kronik dhe akut.

Inflamacioni akut është përgjigjia fillestare e trupit ndaj një lënde të dëmshme ose lëndimi.

Ky reagim dërgon plazmën dhe leukocitet në gjak në zonën ku ka më shumënevojë.

Inflamacioni kronik ose sistemik është i dëmshëm sepse trupi sulmon veten e mund të prekë enët e gjakut dhe më pas trurin.

Inflamacioni kronik, shkakatari i saktë i të cilit nuk dihet akoma, besohet të jetë një nga shkaktarët e shumë sëmundjeve.

Ushqimet Më Të Mira Kundër Inflamacionit

Studiues të ndryshëm, të cilëve u referohet AgroWeb.org, kanë identifikuar ushqimet e mëposhtme për potencialin e lartë kundër inflamacionit.

Barishtet

Barishtet e gjelbra (sa më të gjelbra aq më mirë) konsiderohen si ushqim alkalin, pra eliminojnë aciditetin e tepërt, dhe janë të pasura me antioksidantë.

Ato luftojnë inflamacionin dhe nxisin organizmin të punojë me ritme optimale.

Lakrat e egra, lulerradhiqja, rukola, kale dhe rrepka janë shumë të fuqishme kundër inflamacionit.

Shega Dhe Frutat e Pyllit

Frutat e pyllit me ngjyrë të kuqe si manaferrat, boronicat por edhe shega janë të famshme për larminë e antioksidantëve që ofrojnë.

Ato luftojnë inflamacionin ekzistues në trup por edhe përmirësojnë shëndetin dhe aftësitë reaguese të qelizave ndaj problemeve me inflamacionin në të ardhmen.

Erëzat

Turmeriku, xhenxhefili, kanella, hudhra, speci djegës dhe karafili janë disa shembuj të erëzave luftëtare që duhet të konsumoni për të pakësuar inflamacionin.

Ato jo vetëm përmirësojnë shijen e ushqimit por e bëjnë atë më të shëndetshëm.

Farat 

Farat Chia dhe ato të linit janë shumë të pasura me substanca që luftojnë inflamacionin në nivel qelizor.

Këto fara përmbajnë edhe proteinë, fibër, yndyrna të shëndetshme, vitamina, minerale e antioksidantë para të cilave, inflamacioni nuk ka asnjë shans të mbijetojë.

Ushqimet Që Nxisin Inflamacionin

Studimet thonë se pavarësisht racioneve, ushqimet e mëposhtme kanë tendencën të nxisin inflamacionin në organizëm.

Bëhet fjalë për: mishrat e përpunuar siç janë: sallamrat, proshutat, salçicet, patatinat, pijet industriale, yndyrnat e përpunuar, të skuqurat dhe ëmbëlsirat industriale./AgroWeb.org