Turshi e Shpejtë me Lakër dhe Panxhar – Receta me Shije Fantastike

691 0

Turshitë janë ndër zahiretë më të preferuara të cilat nisen e përgatiten pikërisht tani e shijohen gjatë gjithë vitit.

Perimet e ndryshme që përdoren në përgatitjen e turshive përbëjnë antipastën më të mirë të pjatave të ngrohta të dimrit, po duruat dot të mos i shijoni sapo t’i keni përgatitur.

I tillë është rasti i lakrës turshi e cila në vendin tonë shoqëron shumë pjata të ngrohta të tryezës.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të kombinoni lakrën dhe panxharin në një turshi të shijshme dimërore dhe të pasur në vlera.

Përbërësit

3 filxhanë çaji me lakër të kuqe të grirë hollë.

Një gjethe të plotë lakre mbajeni të pagrirë.

1 filxhan çaji me panxhar të grirë

Çerek filxhan çaji me qepë të kuqe të grirë

1 lugë çaji me kripë

Opsionale

1 thelb hudhër

1-2 lugë çaji me xhenxhefil të grirë

Përgatitja

Hidhini copat e lakrës dhe të panxharit në një enë qelqi të thellë, shtoni kripën dhe përpunojini me duar.

Lërini mënjanë duke e mbuluar enën me kapak për 1 deri në 2 orë duke i përzier herë pas here deri sa lakra të ketë lëshuar gjithë ujin e mundshëm.

Më pas, transferojini perimet në një kavanoz të pastër duke i shtypur me një lugë druri.

Shtoni të gjithë lëngun e lëshuar në enë dhe mbajeni kapakun hapur pjesërisht.

Lëreni kavanozin në një vend të ngrohtë për 24 orë.

Të nesërmen kontrolloni ujin e lëshuar nga lakra.

Nëse uji nuk mjafton atëherë përzieni një filxhan me ujë me një lugë çaji me kripë dhe shtojeni në kavanoz .

Sipër tyre perimeve të grira vendosni një gjethe të plotë lakre dhe shtyjeni për poshtë duke u siguruar që të lini një hapësirë në pjesën e sipërme të kavanozit.

Mbylleni kavanozin me kapak dhe mbajeni në një vend të freskët dhe të errët për 3-5 ditë.

Kur të hapni kavanozin duhet të vini re formimin e bulëzave në sipërfaqe, një tregues ky i fermentimit të perimeve.

Kur turshia të jetë bërë sipas preferencës tuaj, vendoseni kavanozin në frigorifer.

Në frigorifer mund ta mbani më gjatë sepse fermentimi do të vazhdojë me një ritëm më të ngadaltë por shija do të përmirësohet ndjeshëm.

Të nesërmen hiqeni gjethen e sipërme të lakrës, marinojeni me vaj ulliri dhe servireni pranë një gjelle të ngrohtë./AgroWeb.org