Shurup Natyral Kundër Kollës – Mënyra e Saktë e Përgatitjes

685 0

Gripi, e ftohura apo sëmundje si bronshiti fatkeqisht mund t’ju vizitojnë gjatë gjithë vitit, por sidomos në pranverë kur moti është më kapriçoz se zakonisht.

Nga zgjidhjet më të mira që mund të bëni në këto raste është të ktheni sytë nga metodat dhe zgjidhjet natyrale.

AgroWeb.org ju sugjeron të provoni një shurup të thjeshtë e tërësisht natyral që ju largon kollën, dhimbjen e grykëve dhe problemet me frymëmarrjen.

Do ju duhen vetëm disa përbërës të cilët mund t’i keni në shtëpi ose t’i gjeni në treg shumë lehtë dhe mund të nisni menjëherë me përgatitjen.

Ndiqni mënyrën e saktë të përgatitjes si dhe përdorimin e këtij shurupi natyral që të gjithë duhet ta keni nëpër shtëpitë tuaja.

Përbërësit

4 gota ujë

30 gr xhenxhefil

30 gr kamomil

1 lugë gjelle kanellë

30 ml lëng limoni

130 ml mjaltë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e këtij shurupi AgroWeb ju këshillon të zgjidhni si fillim një tenxhere ose tigan të thellë.

Shtoni në të ujin dhe erëzate  thata që kemi renditur më lart duke i vendosur të ziejnë në nxehtësi mesatare.

Përzieni herë pas here dhe lëreni ujin me erëzat të ziejnë derisa të ketë avulluar deri në gjysmën e sasisë së fillimit.

Më pas kullojeni me kujdes në një enë të pastër hermetike, duke larguar të gjithë erëzat që kanë lëshuar aromën e tyre të veçantë.

Teksa shurupi është ende i ngrohtë, shtoni lëngun e limonit bashkë me mjaltin dhe përzieni për disa momente.

Kavanozin që keni përzgjedhur për ruajtjen e shurupit tuaj më pas ruajeni të mbyllur në frigorifer deri në 2 muaj dhe gjatë kësaj kohë mund të përdorni sipas dëshirës.

Si ta përdorni

Këtë shurup mund ta përdorni për fëmijët dhe të rriturit.

Sa herë që të ndjeni probleme me grykët apo frymëmarrjen konsumoni një lugë çaji në ditë për fëmijët dhe 1 lugë gjelle për të rriturit./AgroWeb.org