Supë me Kërpudha – E Shijshme plot Vlera

7.4k 0

Kjo është një recetë fantastike për të shijuar dhe përvetësuar vlerat që kërpudha i ofron organizmit në këto ditë vjeshte

Kërpudhat janë një ushqim shumë i rëndësishëm për njeriun.

Ato janë mishtore, me një shije dhe aromë karaktersitike që i japin gatimeve një nuancë mjaft interesante.

Kërpudhat janë të vetmet burim bimor të vitaminës D, që është kaq e rëndësishme për njeriun.

Sapo bien në kontakt me rrezet e diellit, kërpudhat nisin e prodhojnë vitaminë D.

Ato forcojnë sistemin imunitar duke rritur prodhimin e proteinave që luftojnë virozat dhe duke mbrojtur dhe riparuar indet dhe qelizat e dëmtuara.

Kërpudhat mund të përfshihen në regjimin ushqimor në mënyra të ndryshme.

Ju mund t’i kavërdisni me hudhër dhe erëza, mund t’i përfshini në salca të ndryshme apo në supë.

Kjo e fundit është shumë e thjeshtë për tu përgatitur dhe mjaft e shijshme sidomos për këtë stinë.

Përgatitja Krejt Lehtë në Shtëpi

Përbërësit:

6 lugë gjelle ose 75 gramë gjalpë

1 qepë të vogël të prerë hollë

350 gramë kërpudha

4 gota ose 900 ml me lëng pule ose perimesh

1 tufë majdanoz

Kripë dhe piper

Pajisjet:

Tenxhere

Lugë druri

Mikser

Përgatitja

Merrni një tenxhere të pastër dhe vendoseni në zjarr. Hidhni në të 28 gramë ose dy lugë gjelle me gjalpë.

Pasi të ketë shkrirë, hidhni qepën dhe kavërdiseni deri sa ajo të bëhet e tejdukshme dhe të zbutet.

Shtoni kërpudhat dhe gjalpin e mbetur. Lërini të kavërdisen ngadalë me kapak të mbyllur për 8 minuta.

Gjatë kësaj kohe përzijini përbërësit në mënyrë që qepa të mos digjet. Shtoni lëngun e perimeve ose pulës dhe majdanozin. Sapo lëngu të marrë valë, uleni zjarrin dhe lëreni të ziejë ngadalë për një orë.

Më pas hiqni majdanozin dhe lëreni supën të ftohet për disa minuta.

Lëngun e ftohur hidheni ngadalë në mikser dhe përzijeni deri sa përbërësit të bëhen pelte.

Më pas supën hidheni sërish në tenxhere, shtoni kripën dhe piperin dhe lëreni të marrë një valë.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe servireni supën menjëherë duke hedhur pak vaj ulliri.

Shënim:

Nëse nuk keni kërpudha të freskëta mund të përdorni kërpudhat e thata, të cilat duhen zbutur në ujë dhe më pas të përfshihen në gatim.

Megjithatë, kërpudhat e thata kanë një shije më të fortë se ato të freskëta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.