Tetori Rozë – 1 Në 9 Gra Preket Nga Kanceri I Gjirit

517 0

Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.  Një sëmundje e cila sipas të dhënave nga OBSH shkakton rreth 680.000 vdekje gjatë një viti në rang global. Ky lloj kanceri është një nga llojet më të shpeshta të tumoreve tek gratë, kryesisht tek ato të moshës mbi 35 vjeç.

Në Shqipëri kanceri i gjirit prek rreth 350-400 gra çdo vit duke e kthyer ekzaminimin e shpejtë të tij në një urgjencë shëndetësore.

AgroWeb.org ju paraqet më poshtë grupet e rrezikuara nga kjo sëmundje si dhe shenjat dalluese të saj..

Cilat gra janë të rrezikura për kancerin e gjirit

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.

Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh, Duke nisur nga mosha, gjenetika, mungesa e aktivitetit fizik, obeziteti, apo edhe menopauza.

Cilat janë shenjat e kancerit në gji

Njerëz të ndryshëm kanë shenja të ndryshme të kancerit të gjirit. Por, disa të tjerë nuk kanë shenja fare dhe mund ta konstatojnë kancerin e gjirit vetëm pas një mamografie rutinë.         

  • Një gjëndër apo një kokërr në gji ose nën sqetull. Shumë faktorë mund të shkaktojnë gjëndra në gjoks duke përfshirë edhe kancerin, por jo çdo gjëndër në gji është kancer.
  • Trashje ose ënjtje e një pjese të gjirit.
  • Ndryshime të lëkurës së gjirit-skuqje, plagë apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit.
  • Skuqje, çarje apo trashje e lëkurës përreth thithit të gjirit, gropëzim i thithit të gjirit.
  • Rrjedhje nga gjiri përveç qumështit të gjirit, duke përfshirë edhe gjakun.
  • Çdo ndryshim në madhësinë apo formën e gjirit.
  • Dhimbje në gji.
  • Fryrje apo ënjtje e krahut nga njëra anë-disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij. Prandaj, gjëndrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar një shenjë e mundshme e kancerit të gjirit.
  • Çdo ndryshim tjetër i pazakontë në gji.

Ndryshimet në gji jo detyrimisht do të thonë se një femër ka kancer gjiri. Megjithatë, nëse një femër ka simptomat e mësipërme duhet të shkojë menjëherë te mjeku të kontrollohet.

Si zbulohet kanceri i gjirit?

Ekzistojnë disa mënyra kontrolli për gjirin si:

  1. Vetëkontrolli mujor i gjirit
  2. Ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor
  3. Mamografia
  4. Eko e gjirit/AgroWeb.org