Pasta Sy – Shija e Dikurshme Kthehet me Recetën e Shpejtë

985 0

Dikur shiteshin në çdo cep të qytetin nëpër pastiçeri apo nga shitësit me karroca lëvizëse.

Dikush i quante pasta sy e të tjerë gurabije sy, kjo prej formës së tyre.

Duke qenë se në mes të ëmbëlsirës qëndronte zakonisht reçeli krijonte përshtypjen e një syri.

Me një 10 lekësh mund të kënaqeshe me shijen e tyre delikate dhe të mirë.

AgroWeb.org ju sjell recetën e shpejtë të përgatitjes së kësaj ëmbëlsire që vjen nga kujtimet e fëmijërisë së shumë nga ndjekësve tanë.

Ndiqni këshillat dhe provojeni menjëherë për t’u kthyer në ato kohë dhe për t’u treguar fëmijëve shijen e dikurshme.

PËRBËRËSIT

500 gr miell

3 kokrra vezë dhe një të verdhë,

150 gr gjalpë,

4 lugë gjelle me mjaltë,

1 filxhan kafeje me ujë,

1 lugë kafeje me sodë

150 gr sheqer

PËRGATITJA

Për të nisur me përgatitjen e këtyre gurabijeve me reçel fillimisht duhet të rrihni 3 vezët me sheqerin në një tas.

Kur kokrrat e sheqerit të jenë tretur dhe masa të jetë kremoze dhe e plotë shtoni gjalpin e shkrirë dhe të ftohur.

Për të shkurtuar kohë mund të përdorni rrahësin elektrik kështu edhe nuk lodheni.

Më pas e ka radhën mjalti dhe uji. Mos harroni që përbërësit duhet të lidhen dhe mjalti të mos ngelet në fund të tasit.

Miellin dhe sodën e bukës hidheni në sipërfaqen e pastruar të tavolinës dhe në mes hapini një gropë.

Masën që përgatitët në tas hidheni tek mielli dhe punojeni me duar.

Nisni nga anët duke marrë miell e duke e përzierë në mes me masën e lëngshme.

Brumi që do të formohet duhet të jetë jo shumë i fortë dhe shumë elastik.

Këtë brumë hapeni në formën e një petë të trashë rreth 1cm dhe priteni duke përdorur një gotë uji.

Petat e trasha rrethore kalojini në një tavë të shtruar me letër pjekjeje.

Brumin që mbetet bashkojeni përsëri dhe formoni përsëri gurabije.

Pasi të keni mbaruar me brumin, sipërfaqet e gurabijeve lyejini me të verdhën e vezës dhe në mes vendosini nga një kokërr reçel qershie.

Tavën futeni për t’u pjekur në 180 gradë Celsius dhe lërini derisa sipërfaqja e tyre të ketë marrë një ngjyrë të artë.

Zakonisht kërkon rreth 15-18 minuta për një pjekje perfekte.

Pasi të jenë pjekur gurabijet lërini të ftohen dhe më pas mund t’i shërbeni plot shije./AgroWeb.org