Vetitë e Milcës, Barit të Bletës – Qetësi Mendore, Energji, Imunitet

1.9k 4

Grekët e lashtë e kanë përdorur barin e bletës që 2000 vjet më parë. Asokohe, bari i bletës ishte një kurë bimore në nder të perëndeshës Diana.

Në mesjetë, bari i bletës përdorej për të lyer plagët, dhimbjet e dhëmbit, shtrembërimet e qafës dhe të vjellat gjatë shtatzanisë.

Legjenda thotë që bari i bletës përdorej edhe kundër rënies së flokëve. Bari i bletës njihet si melissa officinalis ose lemon balm.

Me kalimin e viteve, bari i bletës është përdorur edhe kundër inflamacionit bronkit, temperaturës dhe dhimbjeve të kokës.

Bari i bletës ndihmon gjithashtu në uljen e tensionit të gjakut,  çrregullimeve të humorit, dridhjeve, të vjellave dhe dhimbjeve të dhëmbëve.

Në mjekësinë popullore, gjethet e barit të bletës kurojne edhe dhimbjet menstruale.

Në Shqipëri, bari i bletës njihet edhe si milcë, mickel në zonat e Krujës, erëx, pselik në zonat e Beratit dhe spelinok siç njihet në Korçë.

Kjo barishte përdoret edhe sot kundër acarimeve nervore, problemeve me pagjumësinë, tretjen dhe spazmat urinare.

Vajrat esencialë të barit të bletës përmbajnë substanca që relaksojnë muskujt, veçanërisht fshikëzën e urinës, stomakun, mitrën.

Organizata të shquara shkencore evropiane përmendin aftësitë e barit të bletës për të kuruar së brendshmi luhatjet e humorit, ankthin, problemet me tretjen dhe herpesin, nëse aplikohet së jashtmi.

Përdorimi i barit të bletës si çaj ka marrë edhe liçensën gjermane për t’u përdorur kundër çrregullimeve të gjumit dhe stimulimit të oreksit.

Bari i bletës konsumohet si çaj, por gjethet e tij mund t’i shtohen edhe sallatave dhe të konsumohet i freskët.

Shumë shqiptarë e kanë barin e bletës pjesë të pandarë të kopshteve të tyre dhe e shijojnë të freskët.

Vetitë e Barit të Bletës

Qartësi mendore, perqendrim dhe qetësim

Bari i bletës përdoret gjërësisht kundër ankthit, stresit dhe pagjumësisë në Evropë. Pak kohë më parë, një studim arriti në konkluzionin që bari i bletës rrit përqendrimin dhe qartësinë mendore.

Ndihmon në studim dhe provime

Një studim i Universitetit Northumbria në Britaninë e Madhe tregoi që nxënësit që konsumojnë barin e bletës arrinin rezultate më të mira në provime dhe në detyrat e shtëpisë për deri 6 orë pas konsumimit të barishtes. Kjo e fundit i bënte ata më të qetë dhe largonte stresin gjatë provimit.

Kundër herpesit dhe virozave

Studimet kanë treguar që bari i bletës përmban disa substanca që ndihmojnë ndjeshëm për trajtimin e virozave dhe viruset që shkaktojnë çrregullime siç është herpesi.

Sipas studimeve, bari i bletës ose kremëra që e kanë atë në përmbajtje shkurtojnë ‘jetëgjatësinë’ e herpesit dhe zbut ashpërsinë e tij.

Për më tepër, bari i bletës ul shanset për rishfaqjen e tij dhe ofron çlirim nga kruajtjet dhe skuqjet. Ky efekt i barit të bletës vjen nga acidi rozmarinik dhe kafeik që gjenden tek bari.

Kundër Pagjumësisë dhe Ankthit

Komisioni E i Institutit Federal Gjerman për Medikamentet dhe Mjekësinë sugjeron përdorimin e barit të bletës kundër çrregullimeve nervore që shkaktojnë pagjumësi dhe parregullsive me tretjen. Komisioni E është një agjensi qeveritare që vlerëson sigurinë dhe efikasitetin e produkteve bimore.

Tiroidet dhe Sindroma e Lodhjes Kronike

Bari i bletës përdoret në Evropë për trajtimin e tiroideve dhe rregullimin e prodhimit të hormoneve nga ana e tyre.

Kjo veti, së bashku me karakteristikat anti-virale të barit të bletës e bëjnë këtë barishte mjaft të dobishme edhe për trajtimin e Sindromës së Lodhjes Kronike.

Alzheimer dhe Skleroza

Bari i bletës përmban vajra esencialë dhe substanca që kanë aftësi qetësuese tek njeriu. Studimet tek njerëzit kanë treguar që nëse bari i bletës merret nga goja ka efekt shumë qetësues.

Në doza të larta, bari i bletës të vë në gjumë. Studime të tjera kanë treguar që bari i bletës përmirëson kujtesën dhe rrit vëmendjen tek individët që vuajnë nga sëmundja e Alzheimer-it.

Kjo ndodh falë përmbajtjes së lartë të antioksidantëve që mendohet të mbrojnë qelizat e trupit nga dëmet që shkaktohen përgjatë një proçesi kimik të quajtur ‘oksidim’.

Çaji i Barit të Bletës

Mjaft nga vetitë e barit të bletës përfitohen në formën e çajit duke përdorur gjethe të njoma ose të thata. Një grusht me gjethe të tilla zjehen për 7 minuta bashkë me 300 ml ujë. Filtrojeni dhe lëngut mund t’i shtoni pak mjaltë dhe mund ta pini 2-3 herë në ditë./AgroWeb.org