Vjosa, Perla e Europës Park Kombëtar, Ekspertët Nisin Studimin e Luginës

579 0

Ekipi i 30 ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë për shpalljen e Lumit të Egër Vjosa Park Kombëtar zhvilloi një ekspeditë studimore 5 ditore përgjatë vijës ujore të lumit Vjosë dhe degëve të saj me rrjedhje të lirë, përmes bashkive të Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Vlorës.

Qëllimi i programit studimor kishte në fokus dy aspekte kryesore: së pari, njohjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë me luginën e Lumit Vjosa, të cilët do të punojnë për të siguruar mbrojtje afatgjatë të karakterit ekologjik dhe biodiversitetit të luginës me qëllim ruajtjen e integritetit të ekosistemit të saj, për të propozuar modele që do të mundësojnë zhvillimin e turizmit të gjelbër dhe forma të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë në territoret përgjatë Vjosës dhe degëve të saj, dhe së dyti, prezantimin e ekspertëve me komunitetin lokal dhe anasjelltas.

Ekipi i ekspertëve nisi me shqyrtimin e përbërësve kryesorë të sistemit lumor – duke përfshirë degët, zonat e mbrojtura dhe monumentet e natyrës. Ekipi udhëtoi drejt Përmetit deri në fshatin Konicë (në kufi me Greqinë) aty ku nis rrjedha e lumit Vjosa për në Shqipëri – për të vijuar me ndalesa përgjatë gjithë rrjedhës së Vjosës, përfshirë Tepelenën, Gjirokastrën, përroin e Kardhiqit e Zhulatit (degë me rrjedhje të lirë të Drinos), vizitë në zonën e Kalivaçit, luginën e Bënçës, Shushicës, drejt Bratajt, Selenicës, për të përfunduar në deltën e Vjosës në Adriatik (Vlorë).

Përgjatë ndalesave në zonat përreth Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Vlorës – ekipi i ekspertëve zhvilloi diskutime fillestare dhe takime konsultative me palët e interesuara, komunitetet lokale, qeverisjen vendore, OJQ-të dhe grupet e interesit, për t’u njohur me secilin prej tyre dhe për t’u prezantuar domethënien e shpalljes së Lumit Vjosë dhe degëve të saj Park Kombëtar, ndikimet e pritshme në aktivitetet e tyre.

Gjatë takimeve konsultative, grupet e interesit, përfshirë operatorët turistikë, shprehën mbështetjen dhe optimizmin e tyre për përfitimet që do të ofrojë Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa.

Ky udhëtim studimor ishte hapi i parë në procesin e angazhimit me palët e interesuara. Në javët e ardhshme, takime e seminare të posaçme do të mbahen me banorët vendas dhe palët e tjera të interesuara si përfaqësuesit e biznesit, në qytetet kryesore përgjatë lumit. Fokusi i këtyre takimeve do të jetë prezantimi i vizionit të Parkut Kombëtar, veçanërisht në kuadrin e mundësive të reja që do të lindin bazuar në konservimin dhe ruajtjen e vlerave natyrore dhe socio-kulturore të luginës së Vjosës.

Pas programit studimor, grupi i ekspertëve po vijon punën për të hartuar masterplanin e detajuar që do të dokumentojë skicimin teknik për shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, në disa faza.

Masterplani do të përfshijë përcaktimin e kufijve dhe zonave të Parkut të ardhshëm Kombëtar, në faza. Ai do të përfshijë zhvillimin e një koncepti për strukturën e menaxhimit të parkut kombëtar në mënyrë efektive, me synimin që ky propozim të shërbejë si model edhe pë parqe të tjera kombëtare në Shqipëri, por jo vetëm.

Ekipi i ekspertëve do të krijojë një koncept për zhvillimin e turizmit të qendrueshmëm me lidhje të ngushtë me eko-turizmin brenda pellgut ujëmbledhës të Vjosës, si dhe do të propozojë mundësitë për financimin e qëndrueshëm të funksionimit dhe menaxhimit të parkut kombëtar.

Të gjitha këto propozime për shpalljen e Lumit të Egër Vjosa Park Kombëtar do të shoqërohen me vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social, të cilat brenda muajit dhjetor të këtij viti do t’i dorëzohen Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për të vijuar më tej me shpalljen në faza të Parkut Kombëtar.