Shtetet evropiane vazhdojnë të sekuestrojnë, bllokojnë dhe heqin nga tregu tonelata me mish pule që importohet nga Brazili. Vetëm në datën 12 Prill 2017, Gjermania dhe Spanja bllokuan dy ngarkesa të tjera me tonelata mish pule skandaloz nga Brazili.

Vetëm gjatë vitit 2017, AgroWeb.org raporton se tetë vende të Bashkimit Evropian, Britania e Madhe, Hollanda, Italia, Spanja, Gjermania, Irlanda, Çekia dhe Sllovakia kanë bllokuar 41 ngarkesa shumëtonëshe me mish pule nga Brazili.

Nga 41 ngarkesat të cilave i është refuzuar hyrja në Bashkimin Evropian, 36 ngarkesa kanë rezultuar të infektuara me Salmonelë, e cila është kthyer në makthin e autoriteteve të kontrollit të cilësisë të vendeve të Bashkimit Evropian në lidhje me importin e mishit nga Brazili. Kliko këtu për njoftimet zyrtare.

Britania e Madhe, Hollanda, Italia, Spanja, Gjermania dhe Irlanda janë nyje portuale nga ku sasitë e mallrave shpërndahen në të gjithë kontinentin evropian. Portet e këtyre vendeve janë edhe pikat e para të kontrollit të cilësisë që janë të detyruara të kontrollojnë sigurinë dhe cilësinë e mishit të pulës nga Brazili dhe që rezultojnë me statusin 'RREZIK SERIOZ', si pasojë e normave të palejuara të Salmonelës.

Salmonella Enteritidis përfshin patogjenë të aftë për të përhapur epideminë e salmonelës në shkallë masive. Simptomat e salmonelës përfshijnë diarrenë e ujshme dhe të vjellat. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, dhimbje barku, të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut. Ndonjëherë mund të ndodhë që të shfaqet dhe temperatura e lartë.

Bashkimi Evropian vetëm në tre muajt e parë të 2017 ka bllokuar, refuzuar dhe kthyer mbrapsht gati dyfishin e ngarkesave braziliane të vitit 2016 prej problemeve me ngarkesat e infektuara të mishit të pulës. Në vitin 2016, vendet evropiane kanë hasur probleme me rreziqe serioze me mishin e pulës së importuar nga Brazili në 23 ngarkesa, ndërsa në tre muaj të 2017 me 41 ngarkesa.

Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare nuk kanë gjetur problematika me as një kilogram mish pule nga Brazili të importuar në Shqipëri, si gjatë vitit 2016, ashtu edhe gjatë vitit 2017.

Në njoftimin e saj më të fundit në datën 9 Prill 2017, Autoriteti Shqiptar i Kontrollit të Ushqimit deklaron se çdo kilogram mish pule i importuar nga Brazili është brenda normave. AgroWeb.org citon  deklaratën e AKU - 'Për mishin që vjen nga Brazili, analizat nga laboratori i ISUV kanë konfirmuar të njëjtën përgjigje si të laboratorëve të AKU-së, ku ka rezultuar brenda parametrave që parashikon ligji, por AKU do të jetë e vëmendshme ndaj çdo sasie mishi që do të importohet në vendin tonë.

Sipas qytetarëve të kontaktuar dhe të intervistuar nga AgroWeb.org në lidhje me situatën rezulton se ka dy skenare që lidhen me cilësinë e mishit të pulës nga Brazili. E para ka të bëjë me faktin se kompanitë braziliane eksportojnë mish pule të cilësisë së parë vetëm në Shqipëri duke mbajtur me hatër shqiptarët kundër anglezëve, gjermanëve, italianëve, spanjollëve, etj.

Ose vlen skenari tjetër sipas të cilit, AKU dhe Instituti i Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinarisë duhet të provojnë të dërgojnë mostrat e mishit të pulës nga Brazili në laboratorë ndërkombëtarë për verifikimin e analizave shqiptare!/AgroWeb.org