Siguro Jetëgjatësinë e Frutave dhe Perimeve

607 0

Të gjithë e dimë që mjafton një mollë e prishur për të kalbur gjithë shportën me mollë. Por a e dini që një mollë e kalbur mund të prishë edhe shalqinin që e keni vendosur aty pranë pa e menduar fort mirë? Ky është vetëm një shembull se si disa fruta dhe perime shërbejnë si katalizatorë të kalbjes të simotrave të tyre duke shkaktuar pasoja ekonomike tek konsumatori.

Mbajtja e frutave dhe perimeve pranë në të njëjtën hapësirë në frigorifer është e gabuar, pasi mund të detyrohesh t’i hedhësh në plehra shumë shpejt. Studimet kanë treguar që duhet një kombinim i duhur pozicionimi mes perimeve dhe frutave që të garantohet jetëgjatësia e tyre dhe konsumatorët mos të shpenzojnë kohë dhe para’.

E vërteta është që nëse një produkt kalbet, gazi i lëshuar brenda në koshin frigoriferik mund të reduktojë jetëgjatësinë dhe freskinë e një fruti ose perimeje tjetër aty pranë. AgroWeb ka përgatitur një listë me produktet që mund të rrinë bashkë në frigorifer dhe të tjera që duhet t’i mbani sa më larg nga njëra-tjetrat.

Sipas të dhënave, qershitë nuk ndikohen nga efektet negative të gazit të lëshuar nga produktet e tjera, ndaj ato mund të kenë partnerë të shumtë frigoriferikë. Mollët, dardhat, kajsitë, bananet, kivi, mango, pjeshkat dhe kumbullat prodhojnë gaz të dëmshëm gjatë ruajtjes që çon në qullosjen dhe humbjen e ngjyrës dhe aromës. Patatet dhe ato të ëmblat duhen mbajtur në një vend të freskët dhe të errët larg nga frutat. Produkte të tjera të ndjeshme ndaj gazit në fjalë janë shpargujt, brokoli, karrotat, sallata jeshile dhe bizelet. Qershitë dhe boronicat nuk prodhojnë gaz të mjaftueshëm për të dëmtuar të tjerët dhe janë imune ndaj kalbjes së miqve frigoriferikë.

Barishtet mund të fishken shumë lehtë edhe në frigorifer, por nëse ato i mbështillni mirë në një letër të njomur kuzhine dhe në kontakt të limituar me ajrin, atëherë freskia e tyre do të zgjasë deri në 10 ditë. Një tjetër mënyrë për tua zgjatur freskinë barishteve është nëse ato i fut në frigorifer të palara. Karrotat, panxharin e kuq dhe atë të bardhë ruhen në frigorifer. Manaferrat dhe rrushi gjithashtu duhen ruajtur në frigorifer. Lexoni për këshillat e AgroWeb për zgjatjen e freskisë së frutave dhe perimeve.

Frutat e pyllit – Ruhen në frigorifer, të palara dhe në paketimin fillestar.

Lulelakra- Ruhen në frigorifer të paketuara në një qese plastike dhe të vendosura kokëposhtë.

Hudhra- Ruhet në cdo vend përveç frigoriferit. Mjafton të jetë vend i freskët dhe i errët. Kështu hudhra mund të ruhet deri në katër muaj.

Pjeshkat – Ruhen në paketim letre të hapura larg dritës.

Domatet- Duhet të rrinë larg dritës së diellit në mënyrë që të piqen në mënyrë të barabartë.

Ruajtja e duhur e ushqimeve

Pikë së pari, është e rëndësishme që frigoriferi të jetë mjaftueshëm i ftohtë, me temperature nën 4 gradë Celcius. Këto temperature garantojnë sigurinë e ushqimeve të vendosura në frigorifer. Së dyti, në frigorifer duhet të ketë hapësirë të mjaftueshme që ajri i ftohtë të qarkullojë, që do të thotë se frigoriferi nuk duhet mbushur plot. Nëse e bëni këtë, atëherë ushqimet do të prishen më shpejt. Së treti, cdo lloj ushqimi duhet ruajtur vecmas dhe nuk duhet përzier më të tjera.

Mos harro

Oksigjeni nuk është miku më i mirë i ushqimeve, përkundrazi përshpejton prishjen e tyre. Mënyra më e thjeshtë për të mbrojtur shumicën e ushqimeve nga dëmtimet e shkaktuara nga oksigjeni është që produktet të ruhen në qese me vakum, pra pa ajër. Nëse nuk keni qese specifike me vakum, merrni një qese normale, fusni produktet, dhe duke i shtyrë ato në fund të qeses nxirrni sa më shumë ajër prej saj që të jetë e mundur. Mbylle qesen me një nyje dhe kështu ul nivelin e ekspozimit të produkteve ndaj oksigjenit dhe zgjatur jetën dhe freskinë e perimeve dhe frutave.

Mos e hidh ushqimin tënd

Planifikimi në avancë i gatimeve është gjëja më e mirë që një amvisë mund të bëjë, për vetë faktin se një gjë e tillë të lejon të blesh vetëm gjërat që të nevojiten dhe jo të tejkalosh planin, eventualisht duke hedhur në plehra më shumë ushqim.
Planifikimi në avancë rrit edhe vlerat shëndetësore të gatimit që pregatisni, sepse mungesa e kohës dhe e planifikimit renditen në faktorët kryesorë për ushqyerjen jo cilësore.

AgroWeb ju rekomandon që të bleni ushqimet e freskëta mundësisht nga fermerët lokalë ose nëpër ferma dhe sera ku mund të shikoni cilësinë e tyre. Kështu, ju do të merrni ushqimet më të freskëta që prishen më vonë, dhe nga ana tjetër ndotja e ambientit do të jetë më e limituar. Nga ana tjetër, konsumimi i ushqimeve të freskëta dhe të gjalla, është një nga mënyrat më të mira për të jetuar shëndetshëm.

Ushqimet e përpunuara që na vijnë për shtat si pasojë e përtacisë dhe stilit të shpejtë të jetesës në të vërtetë nuk na kursejnë shumë kohë. Studimet kanë treguar që koha e pregatitjes së ushqimeve të freskëta me ato të përpunuara është përafërsisht e njëjtë, ndonëse përdorimi i ushqimeve të përpunuara të kursen deri në 12 minuta. Nëse do të kursesh para, atëherë duhet të rrish larg varianteve të ushqimeve gati për përdorim, sepse kushtojnë dyfish se ushqimet në formën e tyre fillestare.

Mbani mend që sa më i freskët ushqimi, aq më i sigurt do të jetë ai për një kohë afatgjatë, ndaj më mirë blini sasi të vogla dhe konsumojini sa më shpejt që të jetë e mundur.

Perimet në vecanti, humbasin vlerat e tyre ushqimore pak pas veljes. Nëse të duhet të zgjedhësh mes perimeve të ngrira dhe atyre të paketuara në kanaçe, më mirë zgjidh të ngrirat. Megjithatë, asgjë nuk krahasohet me produktet e freskëta. Nëse dëshiron të marrësh më të mirën e tyre, atëherë gatuaji në sasi të mëdha dhe ruaje pjesën e mbetur në enë qelqi në frigorifer ose në ngricë. Kjo është mënyra më e mirë për të ngrënë një drekë të freskët cdo ditë. Sidoqoftë, duhet të mundoheni të hani sa më shumë produkte të gjalla që të jetë e mundur. Sipas studimeve, një e treta e produkteve si perimet, farat, arrat, vezët organike dhe produktet e bylmetit duhen konsumuar të pa gatuara. Lëngu i perimeve është gjithashtu një alternativë e mirë për të marrë sa më shumë vlera, por duhet të siguroheni që ato perime janë të freskëta. /AgroWeb.org