Domatet: Ambasadoret e Eksporteve Shqiptare

283 0

Domatet dhe kastravecat janë produktet që e kanë mbajtur lart markën “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare, duke arritur shifrën rekord të 21 milion Euro ose 3 miliardë lekë në shitje.

Në vitin 2015, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë të siguruara nga Agroweb, domatet kanë pasur gati një dyfishim të eksporteve nga 34.000 ton në 2014 në 57.000 ton në 2015, duke qenë një pikë e fortë e eksporteve. Të cilat në total kanë pasur rritje, përkatësisht me 30 dhe 31% më shumë se një vit më parë.

“Bujqësia rriti kontributin e saj në ekonomi duke siguruar vetëm nga eksportet rreth 4 miliardë leke më shumë se një vit më parë”, është shprehur Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Ndërkohë që të dhënat pozitive të eksporteve kanë vijuar dhe në tremujorin e parë të këtij viti. Eksportet bujqësore për këtë periudhë janë 1 miliard e 600 milionë lekë, krahasuar me 1 miliard e 290 milionë lekë një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 23,5%.

Tregu evropian po i kërkon gjithnjë e më shumë produktet shqiptare, kjo dhe për shkak të cilësisë së tyre, duke bërë që eksportet në bujqësi të shënojnë rritje.

Ndonëse në vitin 2015 eksportet e vendit në total ranë me 7.8 përqind në krahasim me një vit më parë, performanca e sektorit të bujqësisë ka qenë e lartë.

Perimet janë ato që i kanë dhënë shtysë shifrave të eksportit, duke arritur në thuajse dyfish, ku janë edhe kryesuese në vlerë ndaj produkteve të tjera. Kështu gjatë vitit që lamë pas janë eksportuar konkretisht rreth 4 miliard lekë perime, nga 2.1 miliardë që janë tregtuar gjatë vitit 2014.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, produktet bujqësore janë regjistruar në vlerën e 10.5 miliardë lekëve, nga 8.1 miliardë lekë që kanë qenë gjatë vitit 2014. Por rritje nuk është shënuar vetëm në vlerë monetare, por edhe në atë sasiore, nga 52.4 mijë ton, në 83 mijë ton perime të eksportuara.

Në këtë kategori domatet dhe qepët zënë sasi të konsiderueshme, por nuk mbeten pas edhe perimet e tjera të cilat prodhohen në vend. Trendi i rritjes ka vijuar dhe në muajt e parë të këtij viti. "Gjatë dy muajve të parë të vitit 2016, eksportet e perimeve të Lushnjës arritën në 5,739 ton me një rritje prej 110 përqind", tha Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, duke shtuar që në të njëjtën periudhë të vitit 2015, eksportet ishin 2,711 ton.

Bujqësia dhe agro përpunimi janë sektorët që pritet të kenë një kontribut domethënës në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë (PBB). Këto dy sektorë konsiderohen të rëndësishëm edhe përsa i përket potencialit të madh të punësimit.

“Në vitin 2015, bujqësia dhe prodhimi blegtoral u rritën me 2.9% në krahasim me vitin 2014. Prodhimi i perimeve u rrit me 8 përqind, ai i frutave me 11.4% dhe i qitros me 43%. Volumi i tregëtisë në sektorin e ushqimit dhe të bujqësisë për nëntë muajt e parë të vitit 2015 arriti në 83 miliardë me një rritje prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Raporti mes eksporteve dhe importeve u përmirësua në 1 me 5 nga 1 me 6 që regjistrohej në vitin 2014” shpjegoi Ministri Panariti.

Gjatë periudhës 2005-2014, eksportet e produkteve agro-ushqimore u rritën ndjeshëm-mesatarisht 14% në vit- duke arritur në 128.9 milion Euro në vitin 2014. Importet nga ana tjetër kanë pësuar një rritje mesatare vjetore prej 8%.

Raporti mes eksporteve dhe importeve u përmirësua nga 11,2 përqind në vitin 2005 në 17.9 përqind në vitin 2014 duke qenë se eksportet u rritën më shumë se importet gjatë periudhës së lartpërmendur. Partnerët kryesorë të Shqipërisë në eksportimin e produkteve agro-ushqimore janë vendet e Bashkimit Evropian, dhe veçanërisht Italia, Greqia dhe Gjermania.

Megjithatë partnerët ndërkombëtarë tregëtarë ndryshojnë kryesisht për shkak të qëndrimeve gjeopolitike të shteteve anëtare ndaj Rusisë dhe embargo Ruse nga ana tjetër, si edhe lidhjet e reja me tregje të tjera. Në këtë aspekt, sektori i perimeve të freskëta është në ndryshim.

Serbia ka ruajtur pozitën e saj dominuese në eksport që nga viti 2014. Ky vend ka blerë 61% të eksporteve Shqiptare. Në vitini 2006, Maqedonia ishte partneri i dytë tregëtar i vendit tone, por vitet e fundit pozita e saj ka rënë në 4% të tregut të eksporteve Shqiptare. Në vitin 2014, Bosnia dhe Herzegovina dhe Mali i Zi renditeshin të dytët dhe të tretët respektivisht me 20% dhe 11% të importeve nga Shqipëria.

Gjasat janë që shumë vende të tjera Evropiane do të kthejnë sytë nga produktet shqiptare, duke kërkuar që ato të kenë standardet dhe çertifikimin e duhur. Gjermania, Italia, Hollanda, Franca janë tepër të interesuar për të blerë prodhimet tona të freskëta, kryesisht domaten, specin, kastravecin, duke i ofruar sektorit të bujqësisë një domethënie më të madhe për rolin që ka si shtylla kryesore e ekonomisë sonë.