Kursimi nga Energjia e rinovueshme: Sa përfiton Shqipëria

297 0

Fjalët i merr era, veprat kanë vlera. Kur bëhet fjalë për investime kjo shprehje merr një domethënie krejt tjetër. Sepse biznesi të nxjerr zbuluar, si atë që i del zot fjalës dhe derdh paratë dhe atë që i bën bisht nga frika e dështimit.

Sepse në fund biznesi është i ftohtë dhe kërkon shifra, kërkon të ardhura të larta, pasqyra pozitive të fluksit monetar, kërkon përfitime. Pjesa tjetër pastaj, për hir të së vërtetës është dytësore.

Në biznes çdo orë kushton para. Nëse përshembull ju keni një pajisje motorrike që konsumon naftë/benzinë, çdo orë kushton shtrenjtë. Nëse keni të njëjtën pajisje por që vihet në funksion falë një turbine ere, të gjitha orët e punës, të marra së bashku, nuk kushtojnë asgjë. Është tejet e thjeshtë ta shohësh çështjen e biznesit nën këtë prizëm.

Po sikur në të dy këto skenare ne të prodhonim sheqer përshembull? Në rastin e parë, sasia e sheqerit nga një fabrikë që punon me naftë do të kushtonte me shumë, se sa ajo që prodhohet nga era (energji e rinovueshme).

E thënë më thjesht, nëse prodhimi i energjisë elektrike vjen kryesisht nga hidrocentralet, si në rastin e Shqipërisë, tarifat e energjisë do të ishin më të larta se ato nga energjia diellore.

Nuk e besoni? Po sikur t’iu themi se nëse Shqipëria sot do të ishte 100% me energji të rinovueshme, ju do të kursenit afro 300.000 Lekë nga fatura e energjisë. Po, kaq para do të kishit me tepri në xhepin tuaj në fund të vitit.

Sipas një studimi të kryer së fundmi nga Marc Jacobson, profesor i Universitetit të Stanford, kosto vjetore që do të kursente çdo shqiptar nga energjia e rinovueshme do të ishte 2,723 dollarë amerikanë (ose 300.000 lekë).

Përdorimi i energjisë së rinovueshme në gjithçka dhe përmirësimi i efiçencës së energjisë do të nënkuptonte ulje të kërkesës për energji me 42%. Vendi do të prodhonte 43% të energjisë së tij deri në vitin 2050 duke përdorur panele diellore, duke qenë se mesatarisht në një vit, vendi ynë ka afërsisht 2400 orë diell, me një mesatare prej 240-300 ditë me diell.

Për më tepër që panelet diellore kanë një mirëmbajtje minimale dhe konsiderohen nga ekspertët si një prej produkteve më të qendrueshme, që mundësojnë kthimin e investimit.

Për ta shpjeguar më qartë: në fund të muajit është e sigurtë që do të keni më shumë lekë të kursyera, sepse e para dielli është falas dhe me bollëk në Shqipëri, pra do të shfrytëzoni një burim pa kosto dhe së dyti do t’i shtoni vlerën shtëpisë apo biznesit tuaj.

Rritja e qëndrueshme në blerjen e paneleve diellore është edhe për shkak të disa politikave që qeveria shqiptare po ndërmerr edhe si pjesë e axhendës së saj të integrimit në BE, në lidhje me energjinë e rinovueshme dhe energjinë diellore në veçanti.

Vetëm në vitin 2014, importi i paneleve diellore, sipas INSTAT, kapi shifrën e 379.000.000 Lekëve, me një rritje prej 129% krahasuar me një vit më parë. Edhe pse përdorimi i tyre mbetet i ulët në raport me potencialin e madh që kanë, duke pasur këtu parasysh dhe numrin e madh të ditëve me diell, interesi gjithsesi është në rritje.

Por, deri në vitin 2020, afërsisht 38% të energjisë, konsumatorët shqiptarë do të duhet ta sigurojnë nga energjia e rinovueshme. Ky është një kusht i vendosur nga BE, i cili do t’iu sigurojë qytetarëve shqiptarë kosto më të ulët të energjisë dhe një mjedis më të pastër dhe pa ndotje.

Por jo vetëm. Vendi ka edhe shumë erë, e cila është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të zhvilluar energjinë e erës.

Duke qenë kaq afër me detin, por në të njëjtën kohë duke qenë edhe një vend malor, në disa zona rikthimi i investimit të turbinave me erë, parashikohet të jetë relativisht i lartë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Shoqata Shqiptare e Energjisë, parashikohet që deri në vitin 2025, 4% e totalit të sasisë së energjisë elektrike e prodhuar në Shqipëri (rreth 400 GWh/në vit) do të prodhohet nga era.

Zonat me potencial më të madh për energjinë e erës janë identifikuar në bregdet, ku parashikohet që të merret 0.7% e prodhimit total kombëtar të energjisë elektrike. Shpejtësia mesatare vjetore e erës në këto zona është 4-6 m/s (lartësia 10 m), ndërkohë që dendësia vjetore e energjisë është 100-250 W/m2.

Ky potencial konsiderohet relativisht i ulët, por që mund të përmirësohet, duke përdorur lartësinë 50 metra për turbinë, në mënyrë që arrihet një shpejtësi prej 6-8 m/s, dhe densitet të energjisë prej 250-600 W/m2.

Duke bërë kalimin në burime të energjisë së rinovueshme, ekonomia do të ishte e para që do të përfitonte nga rritja e investimeve, hapja e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e biznesit. Sepse, siç dhe është provuar nga shumë vende të zhvilluara, energjia e rinovueshme është biznesi i së ardhmes. Një biznes që do t’i siguronte çdo shqiptari 300.000 Lekë më shumë të ardhura në vit. Dhuratë nga dielli dhe era./Agroweb.org/