Mrekullia e gjalpit organik të arrorëve dhe farave

790 0

E kemi dëgjuar shpesh. Gjalpi është i dëmshëm, veçanërisht për shkak të niveleve të larta të kolesterolit.

A vlen e njëjta gjë për gjalpin e farave dhe atë të frutave arrorë?

Kur jetoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më pëlqente që në mëngjes të shijoja një panine me gjalpë kikiriku organik dhe reçel boronice.

Megjithatë, shpesh mendoja nëse kjo dalldisje e ëmbël ndikonte në shëndetin tim. Nëse edhe ti je i apasionuar pas gjalpit të kikirikut, atëherë në këtë artikull do të gjesh shumë informacion për pikëpyetjet që ke në mendje.

A të bën mirë gjalpi i arrave?

Lejomëni ta nis këtë artikull duke dhënë përgjigje për pyetjen më të rëndësishme: a është gjalpi i arrave i mirë për shëndetin tënd? Përgjigjia është Po.

Gjalpi i frutave arrorë është i mbushur me vitamina dhe minerale. Ai përmban sasi të mëdha proteinash, yndyrnash të shëndetshme dhe lufton kolesterolin e keq.

Për më tepër ai ndihmon në përpjekjet tuaja për të rënë në peshë. Shkëlqyeshëm apo jo? Mbi të gjitha, ky gjalpë është i përshtatshëm për të gjitha kategoritë e njerëzve, përfshirë vegjetarianët dhe veganët, por edhe për fëmijët dhe të rriturit.

Megjithatë, para se të nis të shpjegoj për vlerat e ndryshme por fantastike të këtyre produkteve më lejoni të them dy gjëra.

Pikë së pari, arrorët mund të shkaktojnë alergji. Në fakt, mbi 90 % të të gjitha alergjive ndaj ushqimit shkaktohen nga arrorët, ndaj përpara se të provoni këtë gjalpë duhet të jeni plotësisht të sigurt që nuk vuani nga alergji të tilla.

Së dyti, gjalpi i arrave duhet konsumuar me kujdes dhe pa e tepruar për shkak të nivelit të lartë të kalorive.

Llojet e gjalpit të farave dhe arrorëve dhe vlerat e tyre

Gjalpi i kikirikut

Është e çuditshme, por kikirikët në fakt nuk janë arrorë, por legume, pra bëjnë pjesë në familjen e bishtajoreve.

Gjalpi organik i kikirikut është një burim i jashtëzakonshëm proteinash, antioksidantësh, yndyrna të pangopura që janë të shëndetshme për zemrën, vitamina B, E, acid folik, bakër, mangan dhe fosfor.

Ai ndihmon në ruajtjen e shëndetit të zemrës, ul rrezikun e diabetit, ndihmon me rënien në peshë dhe të jep shumë energji.

Gjalpi i bajameve

Bajamet konsiderohen si frutat arrore më të shëndetshme në botë. Ato kanë aftësi të ulin kolesterolin dhe rrezikun e zhvillimit të diabetit.

Gjalpi i bajameve përmban bakër, fosfor, mangan, zink, proteina, dhe yndyrna poli-të-pangopura dhe mono-të-pangopura.

Gjalpi i arrave të shqemes

Gjalpi i arrave të shqemes (Cashew) parandalon formimin e gurëve në tëmth, ul rrezikun e shtimit në peshë, i jep fuqi metabolizmit, tonifikon lëkurën dhe muskujt dhe mban kockat të shëndetshme.

Ky gjalpë përmban fosfor, zink, bakër dhe më pak yndyrna në krahasim me të tjerët

Gjalpi i arrave

Gjalpi i arrave ndihmon në forcimin e sistemit kardiovaskular, përmirëson funksionet e trurit, ul rrezikun e diabetit dhe lufton inflamacionin.

Ai përmban sasi të larta të acideve yndyrore Omega-3 në krahasim me të tjerët por edhe shumë bakër, mangan, biotinë, vitamin B, proteina dhe yndyrna mono-të-pangopura.

Gjalpi i farës së lulediellit

Shqipëtarëve do ju pëlqejë shumë të dinë që farat e pëlqyera të lulediellit mund të bëhen gjalpë. Ky lloj gjalpi promovon shëndet të mirë kardiovaskular, balancon nivelet e kolesterolit dhe ju jep një humor të mirë. A

i është një burim i shkëlqyer i vitaminave B, vitaminave E, bakrit, manganit, seleniumit, fosforit, magnezit, yndyrnave të shëndetshme, fibrës dhe proteinës.

Gjalpi i farës së kungullit

Gjalpi i farës së kungullit fuqizon sistemin imunitar. Është një ushqim i rëndësishëm për shëndetin e meshkujve dhe për femrat pas menopauzës.

Ky gjalpë është anti-diabetik dhe anti-inflamator. Vetitë e tij e bëjnë të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të mëlçisë dhe zemrës.

Gjalpi i farës së kungullit përbën burimin më të pasur të zinkut në krahasim me të tjerët. Ai përmban gjithashtu mangan, fosfor, bakër, magnez, zink, hekur, yndyrna të shëndetshme, proteina dhe fibra.

Këtë gjalpë mund ta gjeni shumë rrallë në treg, ndaj më mirë përpiquni ta përgatisni në shtëpi.

Gjalpi me fara suzami, ose Tahini

Nëse keni qenë në Turqi ose Greqi atëherë padyshim keni provuar të famshmin tahini. Farat e suzamit i bëjnë shumë mirë shëndetit.

Ato kanë aftësi parandaluese kundër diabetit, forcojnë kockat, ulin tensionin e gjakut, mbrojnë shëndetin e zemrës, përmirësojnë tretjen, zvogëlojnë inflamacionin dhe detoksifikojnë organizmin.

Ky gjalpë ka nivelin më të lartë të kalciumit në krahasim me të tjerët dhe përmban bakër, mangan, magnez, fosfor, zink, hekur, selenium, fibra dhe proteina.

Në përgjithësi, çdo lloj fruti arror ose farë mund të kthehet në gjalpë. Disa prej tyre mund t’i gjeni në dyqane specifike të produkteve organike.

Gjalpi i farave dhe frutave arrorë mund të konsumohet veçmas, ose me një panine, ëmbëlsirë, lëng të plotë frutash, akullore, supa, makarona aziatike apo edhe panine me perime.

Kam një lajm të mirë për të gjithë dashamirësit e këtij produkti. Ju mund të përgatisni gjalpin tuaj të preferuar në kushtet e shtëpisë.

Proçesi në fakt është shumë i thjeshtë dhe përmban dy hapa.

Hapi i parë: Merrni një filxhan me fruta arrorë ose fara sipas përzgjedhjes suaj dhe shtoni pakëz kripë deti.

Hapi i dytë: Hidhini në pajisjen grirëse dhe përzjejini deri sa të transformohen në një masë të butë ose pak krokante në varësi të preferencës.

Nëse procesori i ushqimit ju shkakton probleme në përzierjen e arrave apo farave shtoni pak vaj arre kokosi që e gjithë përzierja të shkojë vaj.

Unë e provova personalisht këtë metodë dhe mu deshën vetëm katër minuta për të pregatitur gjalpin e preferuar. Provoje dhe ti dhe ndaje me AgroWeb se cili është gjalpi yt i preferuar!/AgroWeb.org

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.