Shqipëria, Kampion Bote për Konsumin e Qepëve në 2011

298 0

Të dhënat vonuan pesë vite, por më në fund haku shkon tek i zoti. Në vitin 2011, Shqipëria është cilësuar si vendi i parë në botë për konsumin e qepëve. Rekordi botëror i konsumit të qepëve nga shqiptarët kapi shifrën e 33,3 kilogramëve të konsumuar në vit për çdo banor të Republikës tonë. Kuptohet që ka vende shumë më të mëdha që konsumojnë qepë më shume se shqiptarët, si Kina, India, SHBA dhe Rusia, por për numër popullsie Shqipëria renditet e para. Nëse nuk beson shtyp linkun A dhe për konfirmim edhe linkun B.

Është e vetmja për të cilën ke derdhur lot dhe vazhdon ta duash e ta kërkosh aq shumë sa dhe lotët ja vlejnë për të? Nuk ke pse të justifikohesh, të gjithë jemi në të njëjtën varkë, pasi nuk ka asgjë më të dashur e të konsumueshme në Shqipëri sesa qepa. A mund ta imagjinoni dot gatimin pa qepë? Qepa është padiskutim mbretëresha e kuzhinës shqiptare.

Jo më kot qepa në vend mbulon 90% të kërkesave të tregut, me Korçën dhe Elbasanin që kanë edhe prodhimin më të lartë me respektivisht 94.940 kuintal dhe 72.529 kuintal, ndërkohë që në rang vendi prodhojmë afro 175.129 kuintal qepë në vit, duke u renditur në vendin e 66-të në botë. Qepa është një aleat i fortë, që ju mbron kundër një sërë sëmundjesh, duke ju ofruar mes lotësh shëndet të mirë dhe shije në ushqim.

Ja disa nga të mirat shëndetësore të qepës:

Substancat fitokimike tek qepët përmirësojnë veprimin e vitaminës C në trup, duke na dhuruar më shumë imunitet.

Qepët përmbajnë krom, që asiston në rregullimin e sheqerit në gjak. Për shekuj me rradhë, qepët janë përdorur për të ulur inflamacionet dhe për të shëruar infeksionet.

Të pëlqen që ushqimin ta shoqërosh me qepë? Nëse po, gëzohu. Konsumimi i qepës së gjallë inkurajon prodhimin e kolesterolit të mirë (HDL), duke e mbajtur në këtë mënyrë zemrën e shëndetshme.

Një përbërës i fuqishëm i quajtur quercetin tek qepët njihet për rolin e veçantë në parandalimin e kancerit.

Ju ka pickuar bleta? Ju mjafton të aplikoni lëng qepe në zonën e pickimit, e cila do t’ju qetësojë menjëherë nga dhembja dhe ndjesia e djegies.

Qepët pastrojnë trupin nga radikalet e lira, duke ulur në këtë mënyrë rrezikun e formimit të ulçerës gastrike.

Bishtat e qepëve të njoma janë të pasura me vitaminë A, prandaj konsumojini sa më shpesh.

E përdorur që në lashtësi

Qepët janë përdorur historikisht si një ilaç parandalues gjatë epidemive të kolerës dhe mortajës. Perandori romak Neron, i përdorte për të luftuar të ftotët, duke e ngritur lart reputacionin e tyre si një nga përbërësit më popullorë në ushqimin e shumë vendeve të botës.

Hakmarrja e qepës

Aroma e qepëve mund të jetë një problem, si tek duart apo dhe në aromën e gojës. Pasi t’i prisni qepët shpëlajini duart me ujë të ftohtë, duke i fërkuar me kripë, shpëlajini sërish dhe lajini edhe një herë normalisht me sapun. Për të hequr aromën e qepës nga goja konsumoni pak majdanoz ose një mollë për të fshehur erën.

Vlerat ushqyese

Më shumë se një produkt që i jep shije ushqimeve tona, qepët përmbajnë sheqer natyral, vitaminë A, B6, C dhe E, minerale të tilla si sodium, potas, hekur dhe fibra. Për më tepër qepët janë një burim i mirë i acidit folik. Afro 100 gram qepë përmbajnë 44 kalori dhe 1.4 gram fibra.

Studimet

Edhe pse nuk vlerësohet aq shumë sa hudhra për vlerat mjekësore, qepët përdoren po aq shumë. Në mjekësinë popullore, qepët janë përdorur për të qetësuar kollën, të ftohtin dhe veçanërisht azmën, por së fundmi vlerat e tyre kurative i janë atribuar një përbërësi që quhet allyl propyl disulphide, i cili mendohet të ketë të njëjtat efekte si insulina në balancimin e sheqerit në gjak. Kjo nuk do të thotë se qepët mund të përdoren si një zëvendësues për terapinë me insulinë, por mund të ndihmojë ata që vuajnë nga hypoglicemia. Nëse vuani nga hypoglicemia gjithsesi është mirë që të konsultoheni me mjekun për dietën tuaj ushqimore./AgroWeb.org/