Koncert Masiv Proteste | Mos ma prek Valbonën | 29 Tetor, Lugina e Valbonës

315 0

Dy këngëtare shumë të mirënjohura të xhazit Eda Zari së bashku me Elina Dunin do të këndojnë për të ndaluar shkatërrimin e Valbonës.

Artistet e kanë quajtur një maratonë artistike në kundërshtim të ndërtimit të HEC-eve në lumin e Valbonës dhe në kundërshtim të ligjit për importin e plehrave; Në mbrojtje të TOKËS, të UJIT, të AJRIT, të JETËS!

Dy këngëtaret i kanë bërë thirje të gjithë artistëve shqiptarë e të huaj, që dashurojnë Shqipërinë, natyrën e saj mrekullore, e cila sot vuan nga pakujdesia dhe papërgjegjshmëria, por që kërcënohet edhe më shumë nga arbitrariteti dhe dritëshkurtësia e politikës, t’i bashkohet kësaj nisme.

Koncertet e Protestës do të zhvillohen i pari në Luginën e Valbonës të shtunën në 29 Tetor ora 14.00 dhe i dyti në Tiranë në 30 Tetor ora 18 përballë Piramidës.

Në ora 8 të mëngjesit të datës 28 Shtator 2016, kanë mbërritur buldozerët në Dragobi dhe Maskollatë, në Parkun Kombëtar të Valbonës. Që nga ora 11 në male jehonte zhurma e shkatërrimit. Veprimet e sotme janë të fundit në betejën, që nisi në janar 2016, kur u mësua për planet për të ndërtuar 14 HEC-e gjatë vetëm 30 kilometrave në lumin e Valbonës, tetë nga të cilat janë krejtësisht në brendësi të Parkun Kombëtar. Duke ndjekur procesin formal ligjor, banorët u dorëzuan një numër ankesash zyrtare agjencive të ndryshme qeveritare, ku vunë në dukje që nga procedurat e këqia të Mjedisit, tek mungesa e informimit për publikun dhe rreziqet ekonomike që vijnë nga projektet. Në të njejtën kohë, u harxhua shumë energji në demonstrime publike për të tërhequr vëmendjen e medias dhe në shkallë vendi.

Shqetësimet e banorëve u dëgjuan dhe u mbështetën nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, të tilla si WWF, EuroNatur dhe Riverwatch, të cilat bashkuan zërat e tyre drejt institucioneve të ndryshme qeveritare në nivelet më të larta. Për fat të keq, ka patur pak ose aspak përgjigje deri tani nga qeveria shqiptare. U pranuan zyrtarisht vetëm pak ankesa. U dërgua një përgjigje, duke iu referuar një ankese të dikujt tjetër, që nuk kishte të bënte me ankesën e dërguar. Në asnjë rast nuk u ndërmor një veprim konkret dhe në asnjë rast nuk u dërgua ndonjë informacion i kërkuar./AgroWeb.org