Parlamenti Voton Ligjin për Prodhimin Bio

273 0

Është diskutuar në komisionet parlamentare dhe pritet të miratohet në parlament, ligji i shumëpritur për prodhimin biologjik (bio) në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Shumë prej nesh mund të mendojnë së produktet bio janë thjesht produkte natyrale, të rritura në ferma dhe pa ndërhyrje kimike. Kjo është vetëm një pjesë e së vertëtes. Që të quhet bio, një produkt ushqimor duhet vërtetë të jetë rritur pa pesticide sintetike, pa hormone të rritjes artificiale, pa antibiotikë, pa plehra kimikë; por duhet gjithashtu të përpunohet dhe transportohet sipas rregullave e standardeve të lejuara dhe të mirëpërcaktuara nga organizmat përgjegjës.

Produkti bio është produkti natyror, që rritet sipas cikleve specifike natyrore, në një tokë të mirë-trajtuar bujqësore, pa agresorë të huaj, që dëmtojnë përbërjen e produktit, tokën, ambientin dhe sigurisht shëndetin tonë, që jemi konsumatorët fundorë të këtyre produkteve.

Në ligjin e sipërpërmendur përcaktohen qartë rregullat për etiketimin e produkteve biologjike. Produktet biologjike, që plotësojnë kërkesat e këtij ligji, mbartin në etiketë termat “biologjik”, ose shkurtimet “bio” ose “eko”. Produktet që përmbushin kërkesat e këtij ligji duhet të përmbajnë në etiketim detyrimisht edhe logon kombëtare të posaçme. Gjithashtu, përveç logos kombëtare, në etiketimin e produkteve biologjike mund të përdoren edhe logot private.

Ky projektligj synon të arrijë vendosjen e një sistemi menaxhimi të qëndrueshëm të bujqësisë dhe prodhimin e produkteve me cilësi të lartë. Ai synon prodhimin e një larmie të gjerë ushqimesh dhe produktesh të tjera bujqësore, të cilat i përgjigjen kërkesës së konsumatorëve për produkte të prodhuara nga përdorimi i proceseve që nuk dëmtojnë mjedisin, shëndetin e njerëzve, bimëve ose shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve.

Produktet biologjike, që plotësojnë kërkesat e këtij ligji, mbartin në etiketë termat 'biologjik', ose shkurtimet 'bio' ose 'eko'. Foto: Flickr

Sipas relacionit shpjegues të siguruar nga AgroWeb.org risitë e ligjit janë:

– Përcakton në mënyrë më të qartë objektivat, parimet dhe rregullat për prodhimin biologjik, në mënyrë që të sigurohet transparenca dhe besimi i konsumatorit;
– Përcakton produktet dhe substancat që lejohen të përdoren në prodhimin biologjik;
– Përcakton metodat që duhet të përdoren në bujqësinë biologjike dhe në përpunimin e ushqimit biologjik;
– Ndalon përdorimin e organizmave të modifikuar gjenetikisht (OMGJ-të) në bujqësinë biologjike;
– Përcakton rregullat për etiketimin e produkteve biologjike;
– Përcakton sistemin e kontrollit për prodhimin biologjik dhe përcakton autoritetet përgjegjëse për kontrollin në çdo hallkë të prodhimit biologjik,
– Përcakton rregullat për importin e produkteve biologjike nga vendet e tjera. Në Ministrinë e Bujqësisë do të ngrihet Komisioni për Prodhimin Biologjik, i cili është përgjegjës për miratimin dhe mbikëqyrjen e trupave të kontrollit.

Ligji i ri krijon qartësi, së pari se çfarë quhet prodhim bio dhe së dyti si shkohet tek prodhimi bio, që nga fidanët që nuk duhet të jenë të modifikuar gjenetikisht, inputet që nuk duhet të jenë kimike, por vetëm plehu organik e deri tek ambalazhimi e paketimi.

Një pjesë e njerëzve i quajnë produktet e tyre të paçertifikuara, si produkte bio vetëm për të joshur konsumatorët. Por logo bio është një status që ja jep vetëm trupa e çertifikimit./AgroWeb.org