Një vit pa kafeinë – Përfitimet e kafes së çikores

998 0

Një ditë më parë, dëgjova një këngë të cilën kisha kohë pa e dëgjuar. Melodia e saj më solli ndërmend fëmijërinë. U riktheva pas, në ditët kur shihja gjyshin tim duke pikturuar. Mbaj mend se si ai e niste ditën me një filxhan kafeje.

Nuk ishte një kafe e zakonshme. Bëhej fjalë për kafenë e çikores. Ai e nisi këtë zakon shumë vite më parë, dhe akoma është besnik i kësaj kafeje. Popujt e vendeve të Ballkanit, ndoshta kanë vështirësi për të kuptuar mungesën e kulturës së kafesë në Rusi, por gjatë komunizmit, gjetja e kafesë ishte tepër e vështirë.

Rrjedhimisht, rusët mjaftoheshin me disa produkte kafeje që përgatiteshin me zëvëndësues të kafesë. Çikorja, elbi dhe lisi janë disa prej tyre. Çikorja është një barishte, pjesë e familjes botanike të lulerradhiqes. Rrënja e saj përdoret për përgatitjen e pijes së kafesë së çikores. Një nga pijet më të famshme të kafesë në Rusi (veçanërisht në 1960-1970) quhej Baltika.

Ajo përbëhej nga çikorja (35%), elbi (35%), soja (20%) dhe gështenja (10%). Nëse do ta provonim këtë pije në ditët e sotme, me siguri nuk do të na pëlqente, por duke qenë se asokohe njerëzit kishin njohuri të pakëta, Baltika ishte alternativa më e durueshme.

Gjyshi im më thoshte gjithmonë që kafeja e çikores të bën mirë se mbron mëlçinë dhe parandalon diabetin. Sipas tij, duke qenë se ky lëng nuk përmban kafeinë, të jep më shumë energji. Rreth një vit më parë, hoqa dorë nga kafeina (duke mos përmendur këtu kënaqësitë rastësore që gjeja tek çaji jeshil ose i zi) dhe tani jam gjithë kohës në kërkim të zëvëndësuesve të mirë të kafesë. Kur më erdhi ndërmend pija e preferuar e mëngjesit të gjyshit tim, vendosa ta provoja edhe unë.

Në momentin kur vendos të heqësh dorë nga kafeina, mëngjeset janë të tmerrshme. Të duket sikur asgjë nuk ka të krahasuar me një kafe të ngrohtë dhe plot aromë. Por është krejt e kundërta. Kafeina shkakton çrregullime të gjumit (megjithatë është shumë interesant fakti se për shumë prej nesh, kafeja e bën të pamundur zgjimin por jo fjetjen) dhe duke qenë se qëndron në sistem për shumë orë, ndikimi i saj në organizëm është afatgjatë. Kur mora vendimin të provoj kafenë e çikores në mëngjes, isha pak skeptike.

U befasova. Kafeja e çikores mund të mos ketë shijen e asaj të vërtetës, por aroma dhe shija e saj e pjekur dhe e pasur e ngjashme me kafenë, kombinohet mirë me fiqtë dhe elbin. Në pamje, ky lëng ngjan me kafenë dhe ka një aromë të ngjashme. Në lidhje me përfitimet fizike, vura re se cilësia e gjumit ishte përmirësuar (nuk po them që kjo ndodhi vetëm falë kafesë së çikores, por në përgjithësi falë stilit të jetesës pa kafeinë) dhe tretja po ashtu. Heqja dorë nga kafeina, me ndihmën e kafesë së çikores mes të gjithash më bëri një person plot gjallëri që në mëngjes.

Përfitimet kryesore të çikores

1. Shëndeti i zorrëve
Rrënja e çikores përmban inulinë, një fibër bimore e tretshme (që përdoret në suplementet për humbjen në peshë). Duke qenë se inulina është gjithashtu probiotik, ajo ndihmon edhe në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm të zorrëve. Inulina ndihmon tretjen dhe zhbllokon konstipacionin.

2. Lufton inflamacionin
Polifenolët që gjenden tek çikorja kanë aftësinë për të luftuar inflamacionin, që është pikënisja e shumë sëmundjeve. Sa më i ulët inflamacioni, aq më i mirë shëndeti ynë.

3. Mbron mëlçinë
Gjyshi im kishte të drejtë. Çikorja mbron mëlçinë, sepse përmban sasi të mëdha të antioksidantëve natyralë dhe forcon sistemin imunitar, ndërkohë që largon toksinat nga ky organ.

Dëshiroj ta rekomandoj kafenë e çikores për të gjithë ata, që mendojnë të heqin dorë nga kafeina, por edhe ata që janë në kërkim të alternativave më të shëndetshme. Do t’ju duhet pak kohë të mësoheni me shijen, por përfitimet janë shumë të mëdha për t’u anashkaluar./AgroWeb.org

 

*AgroWeb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej tre vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.