Tre Super Lëngje Me Vlera Unike

380 0

Ruajtja e ekuilibrave në ushqimin e përditshëm është sfidë më vete dhe larmia e produkteve të pasura me ushqyes është e madhe. Por shpesh këto ushqime nuk e gjejnë dot rrugën për në tryezë. AgroWeb.org do t’ju tregojë mënyrat e thjeshta se si të përfshini në ushqimin tuaj perimet dhe frutat e domosdoshme (në formë të plotë ose si lëng) për të marrë prej tyre ushqyesit më të mirë për të cilat organizmi ka nevojë. Praktikisht, ajo që u duhet është një mikser dhe recetat e AgroWeb.org.

Spinaq me manaferra
Ky lëng i ëmbël është mënyra më e mirë për të nisur ditën. Mund të tingëllojë si një recetë jo natyrale, sidomos kur bëhet fjalë për një barishte, siç është spinaqi me fruta si manaferrat. Këto të fundit janë fantastike për të maskuar dhe ëmbëlsuar shijen e spinaqit.

Të dyja së bashku ofrojnë shumë vitaminë C, hekur, kalcium, antioksidantë dhe proteina. Energjia që do të përfitoni do t’ju ndihmojë të përballoni sfidat e mëngjesit. Lëngu do të forcojë sistemin imunitar dhe do të mbrojë organizmin nga inflamacioni.

Përbërësit:
• Një tufë me gjethe spinaqi
• 1 gotë me manaferra të freskëta ose ngrira
• Disa kuba akulli
• 1 gotë me qumësht 
• 1 lugë gjelle me fara lini
• 1 lugë çaji me lëng limoni

Përzijini mirë në një mikser deri sa lëngu të jetë i njëtrajtshëm dhe i plotë.

Të gjelbrat tropikale


Ky lëng ofron ekuilibrin e duhur mes të ëmbëlës dhe të thartës. Përbërësi i parë janë barishtet të pasura me vitaminat C, K, B6, kalcium dhe kalium, por ky lëng ka shijen e një ëmbëlsire të mirëfilltë. Përbërësi i dytë është ananasi, që është burimi bimor i substancës bromelen, që sipas shkencëtarëve forcon imunitetin, përmirëson aftësitë shëruese të trupit dhe tretjen.

Përbërësit:
• Gjysmë gote me copa të prera të ananasit (të ngrira apo të freskëta)
• Një tufë me barishte si spinaq, lakër, sallatë jeshile apo kale.
• Disa kuba akulli
• Gjysëm gote me luleshtrydhe të ngrira ose të freskëta
• 1 gotë me qumësht pa yndyrë.
• 2 lugë gjelle me lëng të freskët limoni

Përzijini mirë por mos lejoni grirjen e hollë të ananasit ose luleshtrydheve që t’i shijoni sa më mirë. Nëse dëshironi që shija e lëngut të jetë pak më e thartë, shtoni më shumë lëng limoni. Këtë lëng mund ta pini pas ecjes në mëngjes ose pasdite.

Karrota, Xhenxhefil dhe Hudhra
Kjo mund të mos jetë receta e preferuar e një lëngu, por treshja e mësipërme është shumë e pasur me vlera dhe duhet ta provoni të paktën një herë në jetë. Kur kombinohen së bashku, karrota, xhenxhefili dhe hudhra forcojnë sistemin imunitar, japin energji dhe shëndet, veçanërisht gjatë stinës së gripit dhe virozave.

Karrotat janë të pasura me fibër, beta karoten, vitaminë K dhe kalium. Hudhra me vitaminën C ekuilibron këto ushqyes. Ajo është e pasur me fosfor dhe me vitaminë B1. Xhenxhefili nga ana tjetër plotëson dozën e ushqyesve me vlerat anti-inflamacion dhe antioksidantë, duke ndihmuar me tretjen dhe problemet e stomakut. Shija e këtij lëngu është e fortë, por vlerat janë të pakundërshtueshme.

Përbërësit:
• 4–6 karrota
• 2–4 thelbinj hudhër
• Pak (2.5 cm) xhenxhefil

Ju mund ta përgatisni lëngun dhe ta ruani në frigorifer. Mund ta pini në ditët kur ndiheni të sëmurë dhe të plogësht./AgroWeb.org