Perimet e Bardha dhe Lidhja Direkte me Mirëqënien e Organizmit

474 0

Disa ekspertë deklarojnë se perimet me ngjyrë janë të mira për shëndetin. Megjithatë, shumë konsumatorë kanë harruar ekzistencën e perimeve të bardha, të cilat kanë po aq vlera ushqyese sa ato me ngjyrë të errët.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, lulelakra, qepët, kërpudhat, hudhra dhe fasulet e bardha janë të mrekullueshme për shëndetin. Këto perime të bardha ulin rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës më shumë se perimet me ngjyrë të ndezur.

Një studim shkencor 10 vjeçar mbi këtë çështje, tregoi se 52 përqind e njerëzve që hanë pothuaj 200 gramë perime të bardha në ditë, rrezikohen më pak nga goditja në tru. AgroWeb.org ju sugjeron 5 perime të bardha që duhet të konsumoni më shumë:

Lulelakra
Bashkë me perimet dhe barishtet e tjera të familjes botanike Cruciferous, siç janë brokoli, lakra, lakrat e vogla, lulelakra përmban përbërës të sulfurit që luftojnë radikalet e lira, forcojnë kockat dhe ruajnë shëndetin e enëve të gjakut.

Kërpudhat
Kërpudhat kanë pak kalori. Ato nuk përmbajnë yndyrna, kolesterol dhe gluten. Ndonëse përmbajnë sasi të kufizuara natriumi, ato janë të pasura me selenium, kalium, riboflavin, niacinë dhe vitaminë D. Kërpudhat të japin ndjesinë e ngopjes dhe të ndihmojnë të mbash nën kontroll peshën pa bërë kompromise me shijen. Ato janë gjithashtu një burim i pasur i umamit, që është shija e pestë bazë pas të ëmblës, të kripurës, të hidhurës dhe të thartës. Rrjedhimisht, kërpudhat gjallërojnë shijen e gatimeve më të thjeshta.

Hudhra


Përveç shijes së mrekullueshme, hudhra ndihmon në rritjen e flokëve, zhdukjen e akneve dhe mban larg të ftohtin dhe virozat. Hudhra përmban antioksidantë që forcojnë sistemin imunitar. Nëse dëshironi të përftoni më shumë prej njërës nga substancat më aktive të hudhrës siç është alicina, atëherë prini thelbinjtë e hudhrës dhe lërini të qëndrojnë pak në kontakt me ajrin përpara se t’i gatuani.

Qepa
Qepa përmban disa substanca që luftojnë inflamacionin, siç është edhe kuercetina. Ajo ndihmon në kurimin e artritit, ul rreziqet e shfaqjes së kancerit, sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe forcon sistemin imunitar.

Patatet
Një kokërr patate mesatare ofron 163 kalori, 941 miligram kalium dhe 3.6 gram fibër. Ndërkohë që një banane ofron 422 miligram kalium dhe 3.1 gram fibër. Patatet ofrojnë vitaminë C, vitaminë B6, magnez dhe proteina./AgroWeb.org