Thirrja e fundit për të vetëpunësuarit në bujqësi

430 0

Të gjitha kontributet e papaguara ndër vite nga të vetëpunësuarit në bujqësi mund të paguhen pa kamatë deri në 31 dhjetor. Më pas hyn në fuqi ligji i ri për pensionet që parashikon mbështetjen me të ardhura vetëm të atyre personave që kanë paguar kontributet rregullisht.

Kjo është falja e fundit. Ky është paralajmërimi i bërë nga ligjvënësit për të vetëpunësuarit në bujqësi. Këta të fundit duhet të nxitojnë të paguajnë kontributin e detyrueshëm të sigurimeve shoqërore të papaguar. Parlamenti sapo ka miratuar ligjin që u fal të gjithë këtyre personave kamatvonesat dhe gjobat për këtë kontrubute të papaguara ndër vite nëse ato paguhen deri në datë 31 dhjetor 2014. Në 1 Janar 2015 hyn në fuqi ligji i ri, i cili parashikon mbështetjen me të ardhura vetëm të atyre personave që kanë paguar kontributet rregullisht.

Nga 1 Janari 2015 hyn në fuqi ligji i ri, që mbështet vetëm personat që kanë paguar kontributet rregullisht

Falja e kamatvonesave është bërë edhe më parë, thuhet në relacionin që shoqëron ligjin. por duke qenë se në vitin e ardhshëm reforma e pensioneve vendos standarde dhe detyrime të reja, në këtë projektligj parashikohet që për herë të fundit të ketë një falje të kamatëvonesave, duke e trajtuar si një mundësi më shumë për rritjen e pjesëmarrjes së fermerëve në skemën e sigurimit shoqëror.

Kjo masë që propozohet dhe që presupozon rritje të periudhave individuale të kontributeve për secilin që nuk i ka ato të plota, e shoqëruar me formulën e re të pensionit, e cila duke filluar nga janari 2015 është e njëjtë si për qytetin dhe për fshatin, do të krijojë premisa reale për barazimin e përfitimeve të të vetëpunësuarve në bujqësi me atë të të vetëpunësuarve në qytet, por kundrejt shumës dhe viteve të kontributeve të paguara. Në mënyrë të përmbledhur, projektligji për faljen e kamatëvonesave, parashikohet të ketë këto impakte positive.

  • Lehtësohen fermerët nga ngarkesa, që për gjendjen e tyre ekonomike janë të vështira për t`u përballuar.
  • Zgjerohet skema e kontribuesve në fshat, pasi fermerët, duke qenë kontribues, do të jenë në skemë edhe kur masa e kontributeve në fshat do të rritet.
  • Lehtësohet skema e ndihmës ekonomike, sepse, me pagesën e kontributeve, fermerët përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore.
  • Rriten të ardhurat vjetore në skemën e sigurimeve shoqërore të të vetëpunësuarve në bujqësi.

Për muajt nëntor- dhjetor janë planifikuar të realizohen 674 milionë lekë, ndërsa si numër kontribuesish janë planifikuar të sigurohen 35180 të vetëpunësuar në bujqësi.

Efektet e pritshme nga zbatimi i këtij ligji janë rritja e numrit të kontribuesve të tëvetëpunësuarve në bujqësi për rreth 20 000 dhe rritja e të ardhurave në masën rreth 500 milionë lekë.

Sipas statistikave vetëm 10 përqind e fermerëve të vetëpunësuar në Shqipëri paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Pjesa më e madhe e fermerëve në vend nuk i paguajnë këto detyrime dhe nuk mund të përfitojnë nga skema e pensioneve.