E vërteta shqiptare për embargon ruse

357 0

Rusia ndalon importin e perimeve nga Shqipëria me pretendimin se ato vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që Rusia që prej gushtit ka bllokuar importin nga këto vende duke vendosur embargo bujqësore. Agjencia Federale Ruse e Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare ka vendosur të ndalojë importimin e perimeve nga Shqipëria nga data 8 dhjetor.

Këtë vendim e ka konfirmuar kreu i Agjencisë Ruse, të Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare Sergej Dankvert, i cili ka deklaruar për Agjensinë ruse të lajmeve ITAR-TASS se “Shqipëria është përdorur si vend i rremë origjine për importimin e mallrave të Bashkimit Europian, përmes Bjellorusisë dhe Kazakistanit.”

Në një konferencë për shtyp, të dhënë ditën e Enjtë, në 4 Dhjetor 2014 Ministri i Bujqësisë, Z. Edmond Panariti e cilësoi këtë vendim të shtetit Rus të padrejtë. Ai shtoi se ishte vetë Qeveria shqiptare, që pasi konstatoi se sasia e produkteve bujqësore shqiptare në Tregun rus, ishte pothuajse 4-fish në raport me vëllimet doganore dhe nuk përputhej as me kapacitetet shqiptare të prodhimit bujqësor, kontaktoi Trupën diplomatike ruse në Shqipëri në mënyrë që të merreshin masa për monitorimin e situatës.

“Minstri Panariti: Qeveria shqiptare lajmëroi palën ruse mbi falsifikimin”

Pas këtyre monitorimeve u zbulua se falsifikimi i çertifikatave fitosanitare kryhej në një shtet tjetër dhe jo në Shqipëri, prandaj sipas Ministrit Panariti vendimi i marrë ndaj vendit tonë është i padrejtë. Ai shtoi se një grup specialistësh së bashku me Trupën diplomatike shqiptare në Rusi, do të kontaktojnë autoritetet përgjegjëse në shtetin rus në lidhje me këtë situatë.

Ndërkohë Ministri Panariti tha se biznesmenët shqiptarë, të cilët eksportonin në Shtetin rus, po përgatiten për të nisur procedurat gjyqësore ndaj falsifikatorëve të çertifikatave fitosanitare.

Panariti: Embargo, specialistë shqiptarë do të nisen drejt Rusisë

Ministri Panariti u shpreh se Shqipëria eksporton në 18 vende dhe se Tregu rus nuk është jashtë vëmendjes sonë. Ai shtoi se vendi ynë nuk ka shumë volum për sa i përket prodhimit shqiptar në tregjet ruse dhe se Shqipëria ka si synim nxjerrjen në treg të prodhimeve shqiptare në BE.

Megjithatë pasi Rusia vendosi embargo për prodhimet e vendeve të Bashkimit Evropian, eksportet e produkteve bujqësore shqiptare drejt Rusisë u rritën ndjeshëm. Sipas burimeve të Institutit të Statistikave (INSTAT) , eksportet drejt Rusisë, në Tetor të vitit 2014 shënojnë 162 milionë Lekë më shumë, në krahasim me muajin Korrik të këtij viti, para embargos, kur vlera e eksporteve drejt Rusisë ishte zero. Gjithashtu vihet re një rritje e ndjeshme e eksporteve, gjatë së njëjtës periudhë nga viti 2013 në vitin 2014.

Ministri Panariti tha se qeveria shqiptare është duke punuar për prezantimin e çertifikatave të reja fitosanitare, me tipologji të ndryshuar, në përputhje me standardet bashkëkohore të sigurisë, në mënyrë që të shmanget mundësia e replikimit.

Pretendimet Ruse

Kreu i Agjencisë Ruse,të Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare Sergej Dankvert deklaron se vendimi u mor pas këshillimit dhe bashkëpunimit me palën shqiptare. Sipas tij, përmes nje hetimi u zbulua një rast, ku një kompani shqiptare lëshonte certifikata fitosanitare false, të cilat i printonte në një shtypshkronjë në Çeki. Këto produkte të vendeve të BE-së kalonin pa u kuptuar në doganën Bjelloruse për t’u eksportuar në Rusi si produkte shqiptare për t’i shpëtuar embargos, deklaroi ai duke shtuar se Shqipëria nuk arriti të ofrojë informacion mbi prodhimin e saj, të frutave dhe perimeve, për t’i krahasuar ato me sasinë e shtuar të furnizimeve për Rusinë. Kreu i agjencisë shtoi se pas Shqipërisë, radhën do ta ketë Maqedonia, Bosnje-Hercegovina dhe Zvicra, me të cilat do të ketë takime të veçanta.

Në gusht, Rusia ndaloi importimin e produkteve të mishit, peshkut, perimeve dhe bulmetrave nga vendet e Bashkimit Europian, Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Novegjia si kundërpërgjigje për sanksionet e vendosura Rusisë nga këto vende për shkak të situatës në Ukrainë.