Seminar ‘Sherebela dhe Lavanda’, Malësi e Madhe 16 dhe 20 Janar 2015

543 0

Në kuadër të projektit “Punësimi i të Rinjve në Bujqësi” financuar nga Assist Impact në partneritet me USAID, Creative Business Solutions CBS organizon trajnimet me temë “Sherebela & Lavanda – vlerat, vetitë, kultivimi, vjelja dhe përgatitja për eksport”. Këto trajnime do të zhvillohen të premten, datë 16 Janar ora 10:00 në plantacionet e bimëve medicinale, ndërsa trajnimi i dytë ditën e martë, datë 20 Janar në orën 10:30, në Malësinë e Madhe.

Projekti synon rritjen e punësimit të të rinjve nga mosha 16 deri 29 vjeç, nëpërmjet trajnimit professional teknik dhe praktik në fushën e bujqësisë në 4 nën sektorë të saj: Dhoma Frigoriferike, Përpunimi i Qumështit, Fruta dhe Perime & Erëza dhe Sera.

Fermerë të kësaj grupmoshe që aktualisht punojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në Malësinë e Madhe do të trajnohen nga eksperti kombëtar i fushës, prof. Fatmir Voci.

Takimet do të mbahen në dy sesione, ku në ditën e parë do të zhvillohet trajnim praktik mbi proçesin e kultivimit gjatë aktivitetit të punës dedikuar fermerëve të punësuar nga sipërmarrësi Ilir Gjolaj, të cilët punojnë në plantacionet me sherebel dhe lavandë. Sesioni i dytë i trajnimit do të jetë teknik mbi proçesimin e bimëve medicinale ku punonjësit aktual dhe ata të rinj që sipërmarresi parashikon të punësojë do të jenë të pranishëm. Gjatë këtyre ditëve do të trajtohen temat mbi vjeljen, përpunimin dhe ruajtjen, kultivimin, agroteknikën e kultivimit, efektivitetit ekonomik, ambalazhmin dhe përgatitjen për eksporte.