Ndryshimet klimatike, Shqipëria rrezikon prodhimtarinë e rrushit dhe ullirit

290 0

Ndizen sinjalet e alarmit për bujqësinë shqiptare. Rritja e intensitetit dhe frekuencës së përmbytjeve dhe ndryshimi i theksuar në prodhimtarinë bujqësore janë vetëm disa prej pasojave të ngrohjes globale dhe ndryshimeve ekstreme klimatike. Megjithatë, Raporti i fundit i publikuar nga Banka Botërore, 4 Gradë Celcius Ulni Nxehtësinë Përballimi i klimës së re “normale” rezervon një lajm të mirë dhe një lajm të keq për bujqësinë shqiptare. Lajme të këqija për të gjithë kultivuesit e rrushit e të ullinjve dhe lajme të mira për prodhimtarinë e grurit.

Prodhimtaritë bujqësore më të rrezikuara janë ato të rrushit dhe të ullinjve, që janë kultura të ujitura, me varësi nga rreshjet. Prodhimtaria e tyre parashikohet të ulet me 20-21 përqind , në krahasim me bazën (2000–2009) nën 1.81°C të ngrohjes. Ndërkohë që sipas të njëjtit raport, prodhimtaria e grurit do të marrë hov. Kjo prodhimtari pritet të rritet deri në 24 përqind, si pasojë e zgjatjes së periudhës së rritjes dhe temperaturave të moderuara gjatë stinës së dimrit.

Prodhimtaria e rrushit dhe ullinjve parashikohet të ulet me 20-21 përqind

Sipas një studimi nga Sutton et al. Shqipëria rrezikon vazhdimisht të përmbytet, gjë që shtyn afatin kohor të mbjelljes së të lashtave dhe shkatërron të mbjellat ekzistuese. Sipas parashikimeve deri në vitin 2050, përmbytjet në vendin tonë mund të rriten ndjeshëm, nën influencën e ndryshimeve klimatike.

Masa adaptimi për të reduktuar cënimin që vjen nga ndryshimi i klimës.

Raporti i Bankës Botërore Të ulim cenueshmërinë e sistemeve bujqësore shqiptare ndaj ndryshimeve klimatike, që synon të kompensojë ndikimet negative të këtyre skenarëve të parashikuar si dhe të mbështesë mundësitë e reja të krijuara nga ndryshimet klimatike, ofron një varg të alternativave të adaptimit, të përshtatura për të ofruar udhëzime specifike mbi mënyrën se si Shqipëria mund të reduktojë cënueshmërinë e sektorit të saj bujqësor ndaj ndryshimit të klimës.

Kjo qasje thekson nevojën për praktika bujqësore të cilat në të njëjtën kohë mund të rrisin produktivxitetin në klimën e sotme, të ndërtojnë elasticitetin ndaj ndryshimit të klimës dhë të ulin shkarkimet e gazrave serë, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme ndaj sfidave që paraqet një klimë globale në ndryshim.

Masat e Adaptimit për Politikat Kombëtare dhe Rritjen e Kapaciteteve Institucionale

Burimi: Raporti ‘Të ulim cenueshmërinë e sistemeve bujqësore shqiptare ndaj ndryshimeve klimatike’

Bazuar në rekomandimet e këtij raporti, Qeveria e Shqipërisë po zbaton një projekt të ri ujitjeje dhe kullimi.

Tahseen Sayed, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri në një deklaratë për median tha se përmbytjet në Shqipëri kanë nënvizuar rreziqet e ndryshimeve klimatike. Këto ndryshime i kanë venë në dukje më shumë dobësitë në menaxhimin e burimeve ujore në Shqipëri, të karakterizuara nga fragmentarizimi dhe dublikimi i përgjegjësive të lidhura me burimet ujore, si dhe në përfshirjen e aktorëve të përshtatshëm në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me menaxhimin e integruar të ujërave. “Nëpërmjet shumë projekteve Banka Botërore po mbështet Qeverinë e Shqipërisë për të trajtuar këto pika të dobta, nëpërmjet forcimit të autoriteteve të baseneve ujore, zhvillimit të planeve realiste të menaxhimit të baseneve të lumenjve, rehabilitimit të digave dhe sigurimit të sigurisë së digave, modernizimit të sistemeve të vaditjes dhe përmirësimit të menaxhimit të ujërave dhe të pyjeve në nivelin e komunitet,” tha Znj. Sayed.