Reforma e re e sigurisë ushqimore

480 0

Sa vjen e më shumë bota po shkon drejt ushqimit vegjetarian, pra e perimeve kundrejt mishit. Për shumë arsye, duke nisur që nga ato të shëndetit, e deri tek siguria ushqimore. Zgjedhja për shëndetin mbetet personale, sepse ngrënia e mishit është një instikt, mosngrënia e tij është një vendim, por siguria ushqimore është padiskutim çështje që i përket të gjithëve. Diçka më shumë në Shqipëri, ku konsumi i mishit mbetet parësor në përditshmëri, besnikë të sloganeve të tilla si ‘Mjerë ai mish që nuk ushqehet me mish’.

Pikërisht nga produktet e mishit, mbase edhe për shkak të rrezikshmërisë më të lartë, Ministria e Bujqësisë do të nisë një reformë të thellë për sa i përket sigurisë ushqimore, të cilësuar prioritet të prioriteteve për 2015. Reforma do përfshijë të gjithë hallkat e zinxhirit të produktit, që nga kontrolli i kafshëve e deri te tregëtimi. Produktet bujqësore do të jenë pjesë e një faze të dytë reforme.

Zëvendës Ministri i Bujqësisë, Alban Zusi në një intervistë eksluzive për agroweb, shpjegon konkretisht se çfarë përfshin kjo reformë, që pritet të bëhet publike në mes të muajit Shkurt.

"Do të jetë një reformë tërësore e Sigurisë Ushqimore, thotë zoti Zusi, ndërkohë puna ka filluar gjatë vitit 2014 dhe aplikimi do të nisë në pranverë. Kjo reformë tërësore do të konsistojë kryesisht në linearizimin dhe vertikalizimin e përgjegjësive për çdo sektor dhe për çdo hallkë. Konkretisht për shembull veterinaria nuk do të jetë një aktivitet i shpërndarë në tre apo katër struktura, siç ka qenë deri më sot, ku për shërbimin veterinar kishte përgjegjësi edhe Ministria e Bujqësisë edhe AKU-ja edhe Pushteti Lokal, apo edhe Shërbimi Veterinar publik e privat. Tashmë përgjegjësia inspektuese do të jetë totalisht në kompetencën e AKU-së. Po kështu, analiza e riskut do të jetë në kompetencën e një institucioni shkencor siç është ISUV, ndërsa politikbërja totalisht e përqendruar në Ministrinë e Bujqësisë.”

Për sigurinë ushqimore deri më sot duket se kishin përgjegjësi të gjithë dhe askush. Zoti Zusi tregon pse-në; ‘Rasti më tipik, thotë ai, është kontrolli i kafshëve të cilat kur hynin në kufi kontrolloheshin nga AKU-ja, gjatë lëvizjes së tyre brenda Shqipërisë kontrolloheshin dhe menaxhoheshin nga shërbimi verinar pranë Ministrisë së Bujqësisë, i cili është i ndarë nga ai i AKUsë, kur kalonin në thertore menaxhoheshin nga shërbimi Veterinar i Pushtetit Lokal, dhe kur ktheheshin në mish për t’u tregëtuar konktrolloheshin përsëri nga AKU-ja. Me reformën e re, tashmë nga hyrja e tyre në kufi e deri tek tregëtimi i mishit, i gjithë inspektimi do të jetë në varësi dhe përgjegjësi të AKU-së. Në këtë mënyrë çdo deformim i standardeve të Sigurisë Ushqimore apo çdo situatë që mund të krijohet do të ketë vetëm një organ përgjegjës.”

Risia e reformës? Delegimi i përgjegjësive te operatorët privatë

Në një shtet që provoi shtetëzimin e gjithçkaje për 50 vite, delegimi i kompetencave kontrolluese te privatët është sfidë që duhej provuar me kohë. Ministria e Bujqësisë ka në plan të përfshijë këtë sfidë në reformën që prite të nisë.

Delegimi tek klinikat veterinare private i shumë shërbimeve dhe funksioneve që deri tani kryheshin nga Shërbimi Veterinar pranë Ministrisë së Bujqësisë është një risi e kësaj reforme, thotë zoti Zusi., duke shtuar se me këtë synohet zgjidhja e situatës paradoksale të mosregjistrimit të kafshëve, moskontrollit të lëvizjes, të mos vaksinimeve dhe një menaxhimi më të mirë e më të plotë të sëmunjdeve pasi klinika të caktuara do të mbulojnë rajone të caktuara gjeografike me kontrata dhe përgjegjësi të qarta.

Faza e ardhshme – Produktet bujqësore dhe Urdhrat profesionalë
Reformë e thellë edhe për produktet bujqësore, por në një fazë të dytë. Zëvendësministri Zusi shpjegon se Ministria po planifikon takime të zgjeruara me fermerë, përpunues e konsolidues në mënyrë që të parashtrohen problematiket, të rrihen idetë, e të diskutohen zgjidhjet.

Zbatimi i reformës së sigurisë ushqimore do të nisë në pranverë. Refoma e produkteve bujqësore, në një fazë të dytë.

Uniformizimi i shërbimit kontrollues e mbikqyrës, thotë zoti Zusi, do të jetë edhe në këtë rast baza e reformës. Do të jetë AKU-ja institucioni me me funsione inspektuese por edhe këtu do të përfshihet kontrolli nga subjekte private të liçensuara.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e reformës do të jetë edhe aprovimi i Urdhrave profesionalë si; Urdhri i Mjekut Veteriner, Urdhri i Agronomit, Urdhri i Teknologut Ushqimor e me rradhë në mënyrë që profesionistët që duan të ushtrojnë këto profesione duhet patjetër të jenë të listuar në këtë Urdhër, t’I nënshtrohen rregullave dhe testimeve periodike që kërkohen për t’u regjitruar dhe për të kryer funksionin. Zëvendës Ministri Zusi shpjegon se këto Ente nuk kanë ekzistuar më parë. Bëhet fjalë për një bazë ligjore që krijon këto Ente Publike, të pavarura, të cilat përfaqësojnë interesat e përbashkëta të anëtarëve të tyre dhe rregullojnë marrëdhëniet midis tyre në funksion të publikut.
A do të funksionojnë? Zoti Zusi thotë se për mirëfunksionimin e tyre paketa ligjore duhet të jetë e plotë. Por mesa duket, duke njohur vështirësitë, Ministria ka parashikuar që të paktën për dy vitet e para këto Ente të menaxhohen përmes një Drejtorie të posaçme në Ministrinë e Bujqësisë deri sa ato të jetë auto-funksionalë.

Standardizimi

EuroGap, Global Gap, Bio Suisse janë emra çertifikues të standardeve europiane të produkteve bujqësore që ende nuk operojnë në Shqipëri. Shpesh, mungesa e këtyre çertifikatave të posaçme pengon eskportuesit shqiptarë të depërtojnë në tregjet europiane e botërore ku ndër paramentrat kryesorë kërkohen edhe këto çertifikime të cilësisë.

Zëvendës Ministri Zusi thotë për agroweb se në dialogun e gjerë që Ministria do të zhvillojë me konsoliduesit dhe eksportuesit nëse kjo çështje do të dalë si problematikë, atëherë ajo do të shqyrtohet nga Ministria. Po ashtu edhe nëse kjo problematikë do të haset nga operatorët privatë të cilëve do t’u delegohet përgjegjësia e kontrollit të sigurisë ushqimore. Duke shpjeguar se mundësitë për këtë ekzistojnë, zoti Zusi thotë se ka edhe instumenta të vënë nga Ministria e Ekonomisë përmes agjesisë AIDA apo edhe fonde të posaçme për çertifikimin e produkteve, të proceseve të prodhimit, të analizave të tokës si edhe bashkëfinancime projektesh për çerfifikimet europiane si EuroGap etj.  

Procesi i një reforme të thellë është i domosdoshëm dhe sapo ka nisur. Siguria ushqimore duhet të jetë parësore, në mënyrë që ushqimi që konsumojmë të mos na konsumojë.